MPB arrestoi edhe dy persona tjerë nga protesta e 5 korrikut (VIDEO)

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se ka arrestuar edhe dy persona të tjerë për pjesëmarrje në protesta të dhunshme kundër propozimit francez më 5 korrik, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për dy banorë të Shkupit, D.J. (32) dhe S.J. (18). Ndaj tyre është ngritur kallëzim penal pas procedurës së shpejtë për veprën penale “pjesëmarrje në turmë që do të kryejë krim”.

“Ata dyshohen se më datë 05.07.2022 rreth orës 21:00, gjatë një takimi publik të paparalajmëruar të organizuar përmes rrjeteve sociale, kanë filluar të gjuajnë me gurë dhe sende të tjera në drejtim të punonjësve të policisë dhe ndërtesës së Kuvendit. Ndaj tyre janë siguruar të gjitha provat dhe më pas janë dërguar para gjyqtarit për procedurë paraprake”, informoi MPB.

Policia po ashtu njoftoi se Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Shkup vazhdon të ndërmarrë masa dhe aktivitete për identifikimin e kryerësve të krimeve gjatë protestave dhe sigurimin e provave kundër tyre, pas së cilës bashkë me kallëzimet penale kundër tyre do të ndalohen dhe do të paraqiten para prokurorit publik kompetent dhe para një gjyqtari të procedurës paraprake.

Ndryshe, tre persona nga gjithsej 12 kundër të cilëve Prokuroria Themelore Publike në Shkup dje ka ngritur aktakuzë për incidentet gjatë protestave në Shkup, ndiqen penalisht për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm në pajtim me nenin 288 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të këtij ligji nga Kodi Penal. Nëntë të tjerët pas procedurës paraprake janë akuzuar për veprën penale Pjesëmarrje në turmë që do të kryejnë vepër penale nga neni 385 paragrafi 1 i Kodit Penal.

Kujtojmë se pasditen e 5 korrikut është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button