fbpx

Gjykata Kushtetuese vendosi: Punëtorët në korridoret rrugore 8 dhe 10 nuk do të punojnë 60 orë në javë

Punëtorët e ndërtimtarisë,  të cilët do të punësohen gjatë ndërtimit të autostradave përgjatë korridoreve 8 dhe 10 nuk do të punojnë nga 60 orë në javë, pra 20 orë më shumë se orari i zakonshëm javor i punës në vend. Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme shfuqizoi nenin 12 të Ligjit për përcaktimin e partnerit strategjik për realizimin e projektit për ndërtimin e infrastrukturës së Korridorit 8 (pjesa: Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë) dhe Korridori 10 d (pjesa e autostradës Prilep – Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kanë informuar nga Gjykata Kushtetuese, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Neni kontestues, që u shfuqizua me këtë ligj, ndër të tjera parashihte që koha e punës së secilit punëtor gjatë gjithë ciklit të projektit të mund të ishte mesatarisht 60 orë në javë gjatë vitit.

“Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për shfuqizimin e nenit të kontestuar sepse bie ndesh me vlerën themelore të shtetit të së drejtës që parashihet në nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 e Kushtetutës, në kundërshtim me nenin 9 sipas të cilit qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve. Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ky nen e cenon të drejtën e pushimit ditor dhe javor, pra bie ndesh me nenin 32 paragrafi 4 të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Paraprakisht, Gjykata Kushtetuese, në seancën e mbajtur më 29 mars të këtij viti, kishte vendosur që për dispozitën e kontestuar të ngritë procedurë, për shkak të dyshimit në kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e nenit 12 të ligjit.

Parashtrues të iniciativës për shfuqizimin e nenit 12 të Ligjit janë Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) e përfaqësuar nga kryetari Darko Dimovski, Sindikata e ndërtimtarisë, industrisë dhe projektimit të Republikës së Maqedonisë (SNIPRM) e përfaqësuar nga kryetari Ivan Peshevski. dhe Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve “Glasen Tekstilec” nga Shtipi, e përfaqësuar nga Kristina Ampeva.

Ndryshe, Ligji për përcaktimin e interesit publik dhe emërimin e partnerit strategjik për realizimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 infrastrukturor dhe Korridorit 10d u miratua nga deputetët në Kuvendin e RMV-së në korrik të vitit të kaluar. Me këtë ligj, autostrada Tetovë-Gostivar-Bukojçan dhe Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë nga korridori rrugor 8, si dhe autostrada Prilep-Manastir i Korridorit 10d i jepen për ndërtim Konsorciumit amerikan-turk “Behtel-Enka”. pa tender publik dhe për ndërtim jepen autostrada Tetovë-Gostivar-Bukojçan dhe Trebenishtë-Strugë- Qafë Thanë nga korridori rrugor 8, si dhe autostrada Prilep-Manastir i Korridorit 10d.

Qeveria e Maqedonisë në fund të marsit 2021 e nënshkroi  memorandumin për mirëkuptim dhe bashkëpunim me Konsorciumin amerikan-turk “Behtel-Enka” për përgatitjen e dokumentacionit të projektit dhe ndërtimin e autostradave të Korridoreve 8 dhe 10d.

Qeveria aktualisht është përfshirë në procedurë për ndërtimin e tre segmenteve të autostradave të korridoreve 8 dhe 10, me ç’rast është formuar Komisioni për negociata për lidhjen e kontratës së ndërtimit me “Behtel-Enka”. Në të njëjtën kohë, në negociata do të përfshihen edhe konsulent ligjor dhe autoriteti mbikëqyrës. Të gjithë së bashku do të duhet të përcaktojnë çmimin përfundimtar për ndërtimin e seksioneve të autostradës.

Konsorciumi amerikan-turk “Behtel-Enka” i ofron vendit ndërtimin e autostradave sipas modelit “çelës në dorë”, d.m.th. të realizojnë projektimin dhe ndërtimin e autostradave Tetovë-Gostivar-Bukojçan dhe Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë nga korridori. 8 dhe në autostradën Prilep-Manastir nga Korridori 10d. Ndërsa Qeveria do të duhet të gjejë mjete financiare për realizimin e këtij projekti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button