Sforcimi i diskursit ksenofob

Politika luan sërish me kartën nacionaliste. Shfaqen politikanë që janë kundër integrimit të vendit në BE. Thonë se pas lëvizjeve gjeopolitike “BE nuk do të jetë tërheqëse në të ardhmen” dhe propozojnë që të luhet “me të gjitha alternativat”. Për Maqedoninë e Veriut çdo alternativë tjetër përveç integrimit në BE është e rrezikshme.

Protestuesit kundër “propozimit francez” në mënyrë të programuar e zbrazin mllefin nacionalist kundër shqiptarëve. Ata protestojnë në mbrojtje të gjuhës maqedonase, por u pengon gjuha shqipe. Mjerisht, kështu mendojnë edhe disa akademikë.

Rrënjët e antishqiptarizmit janë të thella. Kur Maqedonia ishte republikë e federatës jugosllave shërbeu si laborator serb për matjen e durimit të shqiptarëve.

Elitat maqedonase, të djeshme e të sotme, të djathta e të majta, nuk dalin nga kallëpet kulturore serbe. Sot politikani më i adhuruar në RMV është presidenti serb. Dikur adhurohej Millosheviqi dhe digjej ambasada amerikane në Shkup si reagim ndaj sulmeve të NATO-e kundër regjimit të tij.

Në mesin e elitës intelektuale maqedonase ka shumë të infektuar nga “shkenca” e prodhuar në laboratorët e Akademisë serbe. Me kësi “shkence” u përpilua Enciklopedia e mashtrimeve. Ka shumë libra me përmbajtje të ngjashme, përfshirë librat shkollorë që sot i konteston Bullgaria dhe duhej t’i kontestonin shqiptarët.

Përgjimet e dikurshme nxorën sheshit se si mendohet, veprohet e flitet në prapaskenën (apo nëntokën politike) kundër shqiptarëve. Krerët e shtetit që i fyenin shqiptarët ishin studentët e viteve 90-të që protestonin me parulla shoviniste kundër arsimit në gjuhën shqipe.

Sot projektet “Bota serbe” dhe “Bota ruse” kanë përkrahës në botën akademike e politike maqedonase. Pikërisht këta janë më ksenofobët dhe kundër vlerave europiane.

Ta duash kombin tënd nuk është kusht t’i urresh kombet tjerë. “A nuk është e mundur që ta dua vendin tim dhe njëkohësisht të mos i urrej banorët e vendeve tjera? – pyeste  Oliver Goldsmith-i dhe përgjigjej: “E them me siguri të plotë: mundet”.

Ksenofobët e kanë të pamundur mos t’i urrejnë disa kombe. Ndaj kësaj urrejtje heshtin edhe “mendjehapurit” dhe të “moderuarit”. Ksenofobia këtu është bërë sëmundje e pashërueshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button