fbpx

Drejtori i BSP-së nuk ka thënë se “maqedonasit sulmuan shqiptarët” – videoja është e montuar

Videoja që shpërndahet në Facebook ka përmbajtje të pavërtetë dhe është e montuar, gjegjësisht drejtori i BSP-së, Sasho Tasevski, nuk përmend askund në deklaratën e tij se “maqedonasit i kanë sulmuar shqiptarët paqedashës”. Nga videoja origjinale e reportazhit televiziv, mund të dëgjoni të gjithë deklaratën e Tasevskit, i cili në asnjë moment nuk përmend maqedonasit apo shqiptarët, e as nuk pretendon se gjatë protestave “janë sulmuar shqiptarët që qëndronin të qetë”, shkruan Vërtetmatësi.

Në një postim në Facebook, thuhet se Sasho Tasevski, drejtor i Byrosë për Siguri Publike (BSP), ka thënë se “maqedonasit sulmuan shqiptarët paqësorë në çarshinë e Shkupit”. Njoftimi i referohet incidenteve të 6 prillit gjatë protestave kundër propozimit francez për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE, kur në sheshin “Skënderbeu” personi E.J. (40) nxori armën dhe gjuajti disa plumba dhe pati përplasje më të madhe mes grupit të njerëzve dhe protestuesve.

Në postimin në Facebook, i cili shoqërohet me një artikull mediatik nga ueb portali Shkupi 1, ku është shpërndarë edhe një video, shkruhet:

“Nëse heshtim si deri tani, kështu LUAJNË me ne! Sasho Tasevski, drejtor i Byrosë për Siguri Publike, njeriun që nxori armën e tij në tubim kundër popullit të tij më 27 prill, tani deklaron se maqedonasit i kanë sulmuar shqiptarët paqësorë në çarshi.

KUSH I LIND KËSHTU???”

Bëhet fjalë për të pavërtetë, pra për përmbajtje të manipuluar, të ndryshuar, gjegjësisht drejtori i BSP-së, Sasho Tasevski, askund në deklaratën e tij nuk përmend se “maqedonasit i sulmuan shqiptarët paqedashës”. Videoja e shpërndarë është e montuar (altered content) dhe kjo vërehet nga gjestet e Tasevskit, gjegjësisht shihet lehtësisht se ai nuk e hap gojën në përputhje me atë që kanë dashur të tregojnë personat që e kanë montuar videon.

Videoja është publikuar në faqen e “Frontit Kombëtar Maqedonas” në Facebook me titullin “Drejtori i BSP-së: Masa popull donte të sulmonte shqiptarët” dhe i njëjti ka mbi 29 mijë shikime, më shumë se 100 komente dhe rreth 180 pëlqime.

Në videon e montuar, e cila ka të bëjë me atë nëse policia është përgjigjur në kohë dhe në mënyrë profesionale për të parandaluar incidentet, drejtori i BSP-së pretendohet se ka thënë:

“Është nga një kënd i caktuar i juaji, ku jo të gjithë policët i shohin. Aty ka edhe policë me rroba civile. Ka edhe nga policia e krimit. E shihni sa e dhunshme është masa dhe sa duan të sulmojnë shqiptarët që janë qytetarë paqësorë”.

Nga logoja e videos mund të shihet se është realizuar nga televizioni “Alfa”. Por nëse hapni videon origjinale nga reportazhi televiziv, mund të dëgjoni të gjithë deklaratën e Tasevskit, i cili në asnjë moment nuk përmend maqedonasit apo shqiptarët dhe as nuk pretendon se “shqiptarët që po qëndronin të qetë janë sulmuar”.

Në minutën 1:44 të klipit transmetohet deklarata origjinale e Tasevskit ku thotë:

“Ajo video është nga një kënd i caktuar i juaji, ku nuk shihen të gjithë policët. Aty ka policë me rroba civile, si dhe disa nga policia e krimit”.

Në pyetjen e gazetarit “si reagon policia ndaj incidentit”, Tasevski përgjigjet “ja e shihni”, për të cilën gazetari thotë “nuk e shohim”, ndërsa Tasevski përgjigjet “për këtë po flas”. Dhe kjo është e gjitha deklarata që dëgjohet nga drejtori i BSP-së lidhur me incidentin dhe mënyrën se si ka reaguar policia.

Prandaj, për faktet e lartpërmendura, mund të konstatohet se postimi që po përhapet në rrjetet sociale dhe është marrë përsipër nga disa media ka përmbajtje të rreme, ndërsa video është e montuar, me qëllim të mashtrimit dhe manipulimit të qytetarëve duke pretenduar se drejtori i BSP-së mban anë në lidhje me incidentet e ndodhura më 6 korrik në sheshin Skënderbeu.

Ndryshe, personi i armatosur që ka shtënë me disa plumba gjatë incidenteve është arrestuar, ndërsa Gjykata Themelore Penale i ka caktuar masën e paraburgimit prej tetë ditësh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button