Policia arrestoi edhe një protestues për gjuajtje të koktej molotovi në protestat në Shkup

Policia nga SPB Shkup sot ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup pas procedurës së shpejtë kundër A.F.(26) nga Shkupi, për shkak të dyshimit se ka kryer dy vepra penale, “pjesëmarrje në tubime që do të kryejë krim”, e dënueshme nga neni 385 dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, të dënueshme sipas nenit 288 të Kodit Penal, njofton Portalb.

“Përkatësisht, më datë 05.07.2022 rreth orës 21:00, gjatë një tubimi të paparalajmëruar të qytetarëve të organizuar përmes rrjeteve sociale, A.F. së bashku me tashmë të arrestuarin J.S., i cili me kallëzim penal është edhe në paraburgim, kanë filluar përgatitjen e ‘koktejve molotovi’ dhe hedhjen e tyre në drejtim të policëve dhe në objektin e Kuvendit të RMV-së”, informojnë nga MPB-ja.

Potencojnë se pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra nga punonjësit e policisë së Njësisë së Policisë për Ndërhyrje, A.F. është arrestuar, kundër tij janë siguruar të gjitha provat dhe në koordinim me Prokurorinë Publike Shkup është paraqitur në Prokurori Publik për procedurë të mëtutjeshme.

Kujtojmë se pasditen e 5 korrikut është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button