Olaf Scholz: Maqedoninë e Veriut e duam anëtare të BE-së, ku ruhen identitetet kulturore dhe gjuhësore

Kancelari gjerman Olaf Scholz në një letër të hapur drejtuar Maqedonisë së Veriut thekson se vendi i qytetarëve të Maqedonisë është në Bashkimin Evropian, ku ushqehen gjuhë dhe identitete të ndryshme. Edhe pas pranimit të propozimit, rruga nuk do të jetë e lehtë, thotë Scholz, por siguron se së bashku do t’i kapërcejmë detyrat përpara, transmeton Portalb.mk.

“Ne e duam Maqedoninë e Veriut si anëtare të BE-së! Vendi juaj ndodhet sërish para një vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e tij: Dëshironi ta pranoni kompromisin europian? Kështu mund të mbahet më në fund konferenca e parë ndërqeveritare – shtatëmbëdhjetë vjet pas dhënies së statusit të një vendi kandidat për në Bashkimin Evropian. Kjo do t’ju sjellë një hap shumë më afër anëtarësimit në BE dhe do të kapërcejë bllokadën”, thuhet në letrën e Scholzit.
Kancelari gjerman, më tej shton se e kupton padurimin dhe frustrimin e Maqedonisë, madje siç thuhet në letrën e tij, edhe më shumë, ai e përjeton si qytetarët e Maqedonisë.
“Unë e kuptoj kur ju thoni: Neve për një kohë të gjatë na është premtuar shumë. Shumë është kërkuar prej nesh. Unë e kuptoj kur ju keni dyshime, nëse me këtë hap vërtet rruga drejt anëtarësimit për në BE është e hapur.
Dëshiroj të jem krejt i hapur me ju: edhe pas miratimit të këtij kompromisi procesi i anëtarësimit në BE nuk do të jetë i lehtë. Pengesa të tjera do të duhet të kapërcehen. Por unë them po ashtu: bashkë do t’i përballojmë detyrat që kemi përpara. Sepse ne ju duam si anëtarë të këtij Bashkimi Europian!”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman.
Ai tha se, e duan Maqedoninë e Veriut si anëtarë të unionit, në të cilin veçantitë kulturore, gjuhët e ndryshme dhe identitetet të mbahen dhe të ruhen.
“Kjo na bën së bashku të fortë. Ne të gjithë e dimë: kompromiset do të thonë ndonjëherë lëshime të dhimbshme. Bashkimi Europian përbëhet prej kompromisesh – ditë për ditë. Megjithatë, unë jam fort i bindur se madje kompromiset e vështira në fund na çojnë gjithmonë përpara dhe na bëjnë më të fortë. Ne jemi dhe mbetemi në anën tuaj”, tha Scholz.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button