Anti-globalistët, antivakserët dhe teoricienët konspirativ në Twitter po përhapin dezinformata se Maqedonia proteston kundër sanksioneve ndaj Rusisë

Tre informacionet më të lexuara të publikuara në Twitter për Maqedoninë në dy ditët e fundit kanë mbi një milion shikime. Të tre lajmet kryesore përmbajnë video të protestave që po zhvillohen në Shkup, por me indikacione se ato janë rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, shkruan 360 Shkallë, transmeton Portalb.mk.

Nëse në opsionin e kërkimit në Twitter, në seksionin “Top”, dmth më e rëndësishmja apo më e lexuara shkruan “Maqedonia”, gjëja e parë që shfaqet është video e kanadezes Alexandra Lavoie, e cila prezantohet si gazetare franceze nga rebelnews.com, një media anti-establishment. Është interesant fakti se videoja e shkurtër e protestave në Shkup është realizuar nga Rasha Today dhe titullohet “Protestat e mëdha në Bullgari dhe Maqedoni”.

Ndonëse në video nuk përmendet arsyeja dhe nuk ndodh një gjë e tillë në Bullgari, historia e autorit dhe komentet nën postim, si dhe njerëzit që ripostojnë tweet-in, tregojnë qartë se qëllimi është të tregohet se jeta bëhet më e vështirë në mbarë botën, dhe jo se në Shkup demonstrohet për një arsye krejt tjetër.

Kjo përdoret me mjeshtëri nga anti-globalistët dhe bots-tët e Putinit, të cilët i vendosin protestat në kuadrin e sanksioneve antiruse që gjenerojnë një krizë në sektorin ushqimor dhe në atë të energjisë dhe paralizojnë prodhimin bujqësor për shkak të mungesës së plehrave.

I ngjashëm është edhe postimi i antivakserit të famshëm Bernie Spofforth, i cili është censuruar disa herë nga Twitter për përhapjen e lajmeve të rreme. Duke shpërndarë një video të protestave, ai shkruan “Maqedonia e Veriut. Trazirat tani po përhapen në Ballkan, njerëzit mezi po i mbijetojnë rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve. Mediat tona na mbajnë në errësirë ​​dhe ligjet e reja nga qeveria jonë e bëjnë të pamundur që të kemi një ide të ngjashme”. Vetëm ky postim ka mbi 800 mijë shikime.

Dhe postimi i tretë në grupin e cicërimave më të lexuara për Maqedoninë e Veriut në dy ditët e fundit është në drejtim të ngjashëm me ato të mëparshme. Është shkruar nga Rial Fly, i cili ka mbi 108 mijë ndjekës. Nga profili i tij mund të konkludohet se ai është një mbështetës i agresionit rus kundër Ukrainës, Bashkimit Euroaziatik dhe multipolaritetit. Në postimin me videon e protestave në Shkup nga Rasha Today, ai përmend Bullgarinë dhe Maqedoninë si vende ku po zhvillohen një përmbysje dhe demonstrata të mëdha kundër politikave evropiane.

Ndryshe, në një intervistë për gazetën greke Etnos, presidenti Stevo Pendarovski tregoi se Rusia prodhon kërcënime jashtëzakonisht serioze hibride për të gjithë rajonin e Ballkanit, veçanërisht propagandë politike dhe fushatë dezinformimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button