Rruga drejt BE-së nuk guxon të merr haraç pronën dhe jetën e qytetarit shqiptar, deklarojnë nga Aleanca për Shqiptarët

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, duke paralajmëruar edhe shkëputjen e bashkëpunimit me VMRO-DPMNE-në dhe Levicën në këtë periudhë, transmeton Portalb.mk.

“Si pasojë e zhvillimeve të fundit, thirrjeve anti shqiptare, inskenimeve të cilat mëndja jonë e shëndoshë as nuk mund ti kuptojë, ne i japim fund çdo lloj bashkëpunimi për sa kohë këto subjekte politike nuk reflektojnë dhe nuk ndërpresin logjikën e përfitimit politik duke anatemuar shqiptarët”, deklarojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ata vlerësojnë se zhvillimet e fundit, incidentet nëpër protesta, janë skenarë të BDI-së, LSDM-së dhe VMRO-së, derisa në këtë të fundit e fut edhe Levicën.

“Rruga drejt BE-së nuk guxon të merr haraç pronën dhe jetën e qytetarit shqiptar. Këtë e themi hapur dhe zëshëm për ata që në emër të evropianizimit e bëjnë kurban shqiptarin dhe kundrejt atyre që protestat kundër evropiane i drejton kundër popullit më evropian, popullit shqiptar”, deklaroi sekretarja e kësaj partie, Vjollca Berisha.

Ndryshe, pasditen e djeshme është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka shpërndarë një fotografi të një personi me pistoletë në dorë, duke akuzuar se “ky është personi i cili është dashur të më vret”. Ai ka kërkuar nga MPB dhe ministri, Oliver Spasovski, personi të arrestohet. Dhunën e protestuesve e kanë dënuar partitë në vend, por edhe faktori ndërkombëtar.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button