Rritja e çmimeve në RMV e ka rritur varfërinë, Zeqiri: mbi 3% e popullatës jeton me 1.9 dollarë në ditë

Në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup u realizua me sukses Tryeza e rrumbullakët me ekspert shkencor të fushave ekonomike nga Universiteti dhe përfaqësues nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, duke elaboruar mbi temën “Vala e rritjes së çmimit dhe buxhetit familjar në RMV”.

Rektori i UNT-së Izet Zeqiri potencoi se “nga vala e rritjes së çmimeve është ndikuar buxheti familjar dhe është rritur varfëria, sot varfërinë e kemi mbi 22% ku nga kjo në strukturë 8% janë të varfër të punësuarit, 45% janë të papunët, 7% pensionistët dhe 32% personat tjerë jo-aktiv. Ajo  që është indikative rritja e varfërisë ekstreme ku mbi 3% e popullatës rezidente në vend jeton sot me 1.9 dollarë në ditë”, tha rektori Zeqiri.

Ai thotë që duhet masa urgjente qeveritare të ndërpritet zinxhiri varfërisë në pagesa të ndihmave financiare për të varfrit dhe krijimi i kushteve për punësimin e tyre.

Profesoresha Bukurije Imeri Jusufi në elaborime të temës “Shporta e konsumit, çmimi dhe pagat” potencoi se në “strukturën e shpenzimeve të jetës në Republikën e Maqedonisë së Veriut pjesa më e madhe janë shpenzimet e ushqimit që përbëjnë rreth 40% për periudhën 2010-2022, ndërsa në vendet e Evropës është rreth 19% dhe njëkohësisht rritja e çmimeve të produkteve ekzistenciale për jetesë nga viti 2021 në vitin 2022 është 17%, që ndikon në mënyrën e jetesës, por nga ana tjetër rritja e çmimeve nuk ndiqet me të njëjtën dinamikë me rritjen e rrogës minimale dhe mesatare”.

Ejup Abdullahi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) tha se “situata aktuale e Kovid-19 dhe agresioni rus mbi Ukrainën ka bë që si sipërmarrës të ndodhemi në një situatë ku planifikimi i furnizimit dhe shitjes të jetë në disbalancë. Ndryshe, rritja e çmimeve të resurseve kryesore për prodhimtarinë, rritja e çmimeve të energjensëve si çmimi i derivateve të naftës rritja enorme e energjisë elektrike si bazë e shpenzimeve operative në transport dhe në prodhim, të gjitha këto faktorë ndikojnë në çrregullimin e çmimeve të produkteve finale ushqimore të cilët e dobësojnë fuqinë konsumatore kur ekonomia jonë bazohet në konsum”.

Profesori Rilind Ademi vëmendje të veçantë i dha temës “Faktorët ndikues në rritjen e çmimeve” duke potencuar që inflacioni është kryesisht fenomen i importuar e si pasojë e një rritje të çmimeve në sektorin e energjisë dhe në sektorin e ushqimeve. Përkrah kësaj mund të vërejmë që politika fiskale dhe monetare ishte ekspansive gjatë vitit 2020 dhe vitit 2021 që i dha një shtytje kthimit të kërkesës vendore, e në kuadër të prishjes së zinxhirëve furnizues botëror kjo i ka dhënë shtytje edhe inflacionit si fenomen ekonomik”.

Profesoresha Zana Beqiri Luma hulumtimet e saj i kishte mbi “Strukturat e indeksit të çmimit të konsumatorit” gjë që prezantoi rezultatet e një studimi empirik në lidhje me determinantët e inflacionit në RMV për periudhën kohore 2005-2022. Nga modeli ekonometrik (ARDL) rezultoi që inflacioni vendor në masë të madhe është i importuar – një rritje prej 1 p.p. në normën e inflacionit të vendeve të UE shkakton një rritje prej 0.9 p.p. në inflacionin vendor. Faktorë tjerë relevant që përcaktuan normën e inflacionit gjatë kësaj periudhe ishin norma bazë e interesit, kursi efektiv i këmbimit dhe konsumi final si komponentë e kërkesës agregate”.

Gjatë diskutimit u potencua nevoja për të dhëna të sakta dhe të përditësuara si parakusht për studime rigoroze empirike që do të kishin dhënë rekomandime mirë të informuara për zhvillimin e politikave shtetërore. Gjithashtu në këtë tryezë u dha vëmendje të veçantë të pranishmëve duke hapur debatin interaktiv me interes të temës si një shqetësim që tani më qytetarët tanë po e ndjenjë në përditshmëri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button