Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria hudhin përgjegjësinë mbi njëra-tjetrën për investimet në Kodrën e Diellit, përgjigje konkrete nuk ka

Funksionarët ndër vite vrapojnë për t’u fotografuar e promovuar në Kodrën e Diellit, por institucionet luajnë ping-pong me përgjegjësinë për investimet dhe investitorët. Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria ia drejtojnë gishtin njëra-tjetrën dhe nuk japin përgjigje konkrete se kush do të jetë investitori që do ta marrë me koncesion menaxhimin e këtij destinacioni turistik, që po premtohet më shumë se një vit.

Investimet në Kodrën e Diellit mbeten vetëm deklarata nga funksionarët, të cilën këtë qendër turistike e përdorin për fotografim dhe promovim, por kur bëhet fjalë për të marrë përgjegjësi ose për të dhënë llogari i ngrenë supet.

Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë thonë se nuk janë përgjegjëse për të treguar se kush do të jetë investitori i paralajmëruar shumë herë nga funksionarët qeveritarë, i cili duhet ta marrë me koncesion menaxhimin e Kodrës së Diellit.

“Ministria e Ekonomisë duke i shqyrtuar kërkesat për informata me karakter publik, konstatoi se nuk mund të deklarohet në lidhje me informatat e kërkuara pasi që pyetjet e theksuara janë në kompetencë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe ELEM Turs”, thonë nga Ministria e Ekonomisë, të cilën në formë integrale mund ta shihni më poshtë.

This slideshow requires JavaScript.

Rikujtojmë Ministrinë e Ekonomisë, se udhëheqësi i pikërisht kësaj ministrie, Kreshnik Bekteshi, në vazhdimësi e ka vizituar Kodrën e Diellit për çështjen e investimeve. Jo më larg se në muajin shkurt tha se në Qeveri kanë arritur letra nga kompani të huaja për investime strategjike në Kodrën e Diellit.

“Sa i përket interesit kemi interes nga disa kompani të cilat vetëm se i kanë dorëzuar edhe letër në Qeverinë e RMV-së që nëpërmjet Ligjit për investime strategjike pra të investojnë në Kodër të Diellit, për momentin jemi në negociata”, tha Bekteshi me 9 shkurt. 

Sa për ilustrim ia rikujtojmë edhe një deklaratë të 8 dhjetorit 2021, ku Bekteshi thotë: Po shqyrtohen ofertat që kemi marrë për zhvillim të Kodrës së Diellit.

Nëse nuk është kompetente Ministria e Ekonomisë, pse i shqyrton dhe pse i ka marrë ofertat? Kjo është pyetje, të cilës duhet t’i përgjigjet Ministria.

Nga ana tjetër, Qeveria e cila sipas Ministrisë së Ekonomisë duhet të jetë kompetente për investitorët e huaj, e drejton gishtin kah Ministria e Ekonomisë.

“Sekretariati i Përgjithshëm e ka shqyrtuar kërkesën në fjalë dhe në pajtueshmëri me nenin 18 paragrafi 1 nga Ligji për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik, e kthen në kompetencë dhe trajtim deri te Ministria e Ekonomisë, pasi që Sekretariati i Përgjithshëm nuk disponon me informatën e kërkuar”, thonë nga Qeveria, përgjigjen e së cilës mund ta shihni më poshtë.

 Përgjigja e Qeverisë në lidhje me Kodrën e Diellit për Portalb.mk
Përgjigja e Qeverisë në lidhje me Kodrën e Diellit për Portalb.mk

Qeveria më 15 korrik tha se e ka kthyer kërkesën në Ministrinë e Ekonomisë, por përgjigje nga atje nuk ka.

Edhe nga Elem Turs e cila menaxhon me Qendrën e Skijimit “Kodra e Diellit”, thonë se nuk kanë qasje në informacione të tilla. Më poshtë mund të shihet përgjigja e Elem Turs për Portalb.mk.

 Përgjigja e Elem Turs në lidhje me Kodrën e Diellit për Portalb.mk
Përgjigja e Elem Turs në lidhje me Kodrën e Diellit për Portalb.mk

Ndërkaq, nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut (ELEM) nuk ka përgjigje për rastin në fjalë, të kontaktuar përmes Ligjit për qasje në informatat me Karakter Publik me 15 qershor thanë se do të informojnë për të njëjtin brenda afatit ligjor, por deri sot nuk ka përgjigje.

Sa për ilustrim, ping-pong me përgjegjësinë kishte edhe për teleferikun me gjashtë-ulëse. Në foton e mëposhtme, mund t’i shihni në foto funksionarët që e kanë promovuar teleferikun, pavarësisht se s’kanë lidhje me fushën e tyre. Për shembull, çfarë e lidh ministrin e Punëve të Brendshme, me promovimin e teleferikut? Apo, deputetët? Mbase këta vetë e kanë dhënë përgjigjen, pasi kur nuk funksiononte teleferiku, të gjithë kanë deklaruar se nuk janë përgjegjës. Pra promovimet dhe pamjet e këtilla si më poshtë, nuk janë asgjë tjetër veç shëtitje.

Ceremonia e vendosjes në funksion të teleferikut me gjashtëulëse në Kodrën e Diellit.
Ceremonia e vendosjes në funksion të teleferikut me gjashtëulëse në Kodrën e Diellit.26 shkurt 2021

Nuk është e rastësishme gjendja e mjerueshme e perlës turistike “Kodra e Diellit”, duke e pasur parasysh që institucionet kryesore nuk interesohen dhe nuk marrin përgjegjësitë e tyre për ta zhvilluar.

Portalb.mk është ankuar edhe tek Agjencia për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik për Ministrinë e Ekonomisë, Qeverinë dhe Elektranat e Maqedonisë së Veriut (ELEM) pasi të njëjtat nuk japin informata të cilat janë të interesit publik.

Deri sa autoritetet nuk japin detaje dhe nuk mbajnë përgjegjësi për deklaratat dhe publike të tyre, për qytetarët vazhdon të mbetet e paqartë se kush do të jenë investitorët dhe çfarë investimesh pritet të bëhen në atraksionin turistik Kodra e Diellit, apo këto janë vetëm fjalë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button