Padi penale kundër 12 personave për pjesëmarrje në turmë, është caktuar edhe paraburgim

12 persona kanë marrë padi penale për “pjesëmarrje në turmë që do të kryejë vepër penale”, të gjithë janë sjellë para gjyqtarit për procedurë paraprake dhe gjykata njërit prej tyre i ka caktuar masën e paraburgimit, ndërsa shtatë të tjerëve arrest shtëpiak, njoftoi MPB-ja, transmeton Portalb.mk.

Siç shtojnë nga atje, këta të dymbëdhjetë së bashku me tre të mitur të tjerë kanë kryer veprën penale sipas nenit 385 të Kodit Penal më 05.07.2022 gjatë protestave para Kuvendit. Gjatë protestës mbetën të plagosur 47 policë dhe u dëmtuan godinat e Kuvendit, Qeverisë, Ministrisë së Jashtme, si dhe një automjet policie dhe pajisje të ndryshme policore.

Fillimisht u ndaluan 11 persona dhe pas përcaktimit të identitetit u arrestuan 4 persona të tjerë ose gjithsej 15 persona të ndaluar, tre prej të cilëve të mitur.

Ndërkohë Prokuroria Themelore Publike Shkup, në lidhje me incidentet e po të njëjtës ditë, gjithashtu ka iniciuar procedurë kundër tetë personave të rritur, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepër penale – Pjesëmarrje në turma që do të kryejë vepër penale nga neni 385 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.

“Të dyshuarit gjatë një tubimi publik kanë marrë pjesë në turmë dhe kanë vepruar së bashku duke filluar të tërheqin gardhin mbrojtës metalik të vendosur nga MPB-ja. Pasi hoqën gardhin, ata filluan të gjuajnë objekte të forta – gurë, pllaka bekatoni, sende hekuri, tabela trafiku, kosha plehrash, mjete piroteknike dhe kokteje molotov në ndërtesën e Kuvendit. Në të njëjtën kohë, një polic mbeti i plagosur rëndë dhe u plagosën 27 policë të vendosur në kordonin policor për mbrojtjen e ndërtesës së Kuvendit dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Të dyshuarit me veprimet e tyre kanë dëmtuar fasadën e Kuvendit, kanë thyer xhamat, kanë thyer objektin e sigurisë të ngritur nga MPB-ja, kanë dëmtuar pajisjet e policisë dhe një veturë të policisë”, thonë nga Prokuroria.

Prokurori publik kompetent ka vlerësuar se ekziston rreziku që të dyshuarit të ikin apo ta përsërisin veprën penale, andaj gjyqtarit të procedurës paraprake i ka dorëzuar propozime për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit.

Nga tetë të dyshuarit, gjashtë janë të moshës nga 18 deri në 22 vjeç, një është i moshës 30 vjeç dhe një është i moshës 36 vjeç. Për ngjarjen janë regjistruar edhe tre të mitur, për të cilët procedura do të zhvillohet sipas Ligjit për drejtësi për fëmijët.

Ndryshe, pasditen e djeshme është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri.

Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka shpërndarë një fotografi të një personi me pistoletë në dorë, duke akuzuar se “ky është personi i cili është dashur të më vret”.

Ai ka kërkuar nga MPB dhe ministri, Oliver Spasovski, personi të arrestohet.

Dhunën e protestuesve e kanë dënuar partitë në vend, por edhe faktori ndërkombëtar.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button