Saracin për vizitë zyrtare në vend, do të ketë takim me Mariçiqin

I dërguari i posaçëm i Qeverisë federale për vendet e Ballkanit Perëndimor Manuel Saracin nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në vend dhe do të realizojë takim me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, njofton Portalb.

Siç kumtoi Sekretariati për çështje evropiane (SÇE), pas takimit në fokus të së cilit do të jenë propozimi francez dhe procesi eurointegrues i maqedonisë së Veriut, si dhe gjendjet në rajon, Saracin dhe Mariçiq do të mbajnë konferencë të përbashkët shtypi  në Media qendrën e Qeverisë.

“Pas vizitës së sotme të kryetarit të Këshillit Evropian Sharl Mishel, i dërguari i posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin do të jetë funksionari i katërt evropian, në tre ditët e fundit, i cili vjen në këto momente kyçe dhe historike që t’i japë mbështetje propozimit francez për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian dhe t’i konfirmojë edhe njëherë pozicionet e Maqedonisë së Veriut”, theksojnë nga SÇE.

Sekretariati informon se është planifikuar që Saracin të takohet edhe me ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

Propozimi francez në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Ndryshe, së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button