fbpx

Mishel në Shkup: Keni mundësi historike për të thënë “po” (VIDEO)

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, sot ndodhet për vizitë njëditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai ka realizuar takime me presidentin Stevo Pendarovski dhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ku kanë biseduar për çështjen e propozimit francez me të cilin tejkalohet vetoja bullgare për fillimin e bisedimeve të RMV-së me Bashkimin Evropian, njofton Portalb.mk.

Presidenti Pendarovski e përshëndeti vizitën e Michelit, duke e cilësuar si tregues të përkushtimit të Bashkimit Evropian dhe informoi për rrjedhën e procesit të gjerë të konsultimit që po zhvillohet në lidhje me propozimin francez, si dhe për atmosferën në shoqërinë tonë për këtë çështje.

Të dy presidentët ranë dakord se pranimi i propozimit francez do të mundësojë hapjen e fazës së parë të negociatave të anëtarësimit, e cila do të zhbllokojë de facto integrimin e vendit tonë në BE. Përveç kësaj, hapja e fazës së parë do të paraqesë nxitje të mëtejshme për përparimin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut, por do të ketë një ndikim pozitiv edhe në situatën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor.

Stevo Pendarovski - Charles Michel
Stevo Pendarovski – Charles Michel

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime në kontekst të shqetësimeve të qytetarëve për çështje identitare, për çka presidenti Pendarovski theksoi se gjuha dhe identiteti maqedonas duhet të respektohen dhe garantohen nga BE-ja.

Nga ana tjetër, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe Mishel në takim kanë potencuar se propozimi evropian për fillimin e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut i përfshin të gjitha pozicionet dhe vërejtjet dhe se bisedimet mund të fillojnë menjëherë pas miratimit të të njëjtit. Propozimi, theksuan Kovaçevski dhe Mishel, parasheh gjuhë të pastër maqedonase, të barabartë me gjuhët e tjera të vendeve anëtare të BE-së.

Në takim nga ana e Mishel edhe njëherë u potencua mbështetja dhe angazhimi i Bashkimit Evropian për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se këto janë momente kyçe për avancimin e shtetit tonë në aspekt ekonomik, politik dhe në aspekt sociologjik.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se mbështetja e Bashkimit Evropian në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut është e një rëndësie të veçantë për shtetin në përmbushjen e qëllimit themelor strategjik, përkatësisht anëtarësimit të plotë në BE.

Charles Michel - Dimitar Kovaçevski
Charles Michel – Dimitar Kovaçevski

Kryeministri Kovaçevski në takim theksoi se ditët e kaluara propozimi i Presidencës franceze është diskutuar në takime konsultative me liderët e koalicionit qeveritar, me korin diplomatik, sektorin civil, me përfaqësues të opinionit ekspert dhe mediave, si dhe me partitë opozitare.

Mishel në konferencë për shtyp me Kovaçevskin tha se është rast historik për të thënë “PO”.

“Maqedonas, keni mundësi historike për të thënë – PO. PO fillimit të negociatave, PO BE-së, PO fëmijëve tanë. Vendi juaj ka mundësinë të bëhet edhe një herë i pari në zgjerim, kjo do të sjellë dinamika të reja, reforma të reja që do t’ju afrojnë me BE-në dhe kjo do të çojë në prosperitet, stabilitet dhe qëndrueshmëri më të madhe të popullit tuaj”, Mishel.

Qëllimi i vizitës së Michelit është të tregojë mbështetjen e BE-së për propozimin francez dhe të konfirmojë përkushtimin e Unionit për integrimin e Maqedonisë së Veriut.

Propozimi francez në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button