Kur emocionet mbisundojnë

Saga lidhur me fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian vazhdon edhe më tej. Makron nga Samiti i NATO-s në Madrid  njoftoi gjatë konferencës së tij për shtyp se është gjetur zgjidhje kompromisi për problemin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që do të ishte një mënyrë për të përparuar në procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

Nga qeveria po ashtu njoftuan që propozimi francez ka arritur dhe se tani do të fillojnë proces i konsultimeve të zgjeruara lidhur me këtë propozim. Vetëm kaq din publiku për momentin dhe mbetet të shihet se si do të zhvillohen gjërat më tej dhe a do të arrijmë të gjejmë një zgjidhje për të përparuar në këtë proces që shumë shpesh duket se nuk ka fund.

E në ndërkohë, histeria vazhdon në të gjitha qarqet e mundshme vendase. Provokime që kulminojnë me akte të dhunshme në parlament, inskenime të ndryshme mirë të planifikuara dhe me qëllime të qarta që për disa momente mund të shkaktojnë incidente të cilat më pas kanë pasoja të mëdha e ndonjëherë edhe të parikuperueshme.

Është vështirë të ruhet qetësia kur të gjithë bëjnë të pamundur që ta prishin atë. Është vështirë të tregohet gjithmonë maturi, edhe në situata të tendosura kur qëllimisht shkaktohen provokime për të nxjerrë situatën jashtë kontrolli.

Është vështirë të ruhet racionaliteti kur bëhet gjithçka për të filluar një incident. Por megjithatë, qetësia duhet ruajtur edhe kur kjo duket e pamundur, dhe veçanërisht atëherë kur duket qartazi me kilometra larg që qëllimi është pikërisht prishja e qetësisë dhe humbja e kontrollit racional. Ndoshta e lehtë për tu thënë por e vështirë për t’u menaxhuar, veçanërisht në situata të tendosura.

Dhuna nuk është asnjëherë përgjigje, edhe kur e njëjta mund të jetë shumë e kuptueshme dhe e pritshme. Por fatkeqësisht, kur dikush që është zakonisht shumë i qetë dhe racional e humb kontrollin si pasojë e provokimit, në fund del vet i fajshëm, pavarësisht sa i rëndë ose i padurueshëm të ketë qenë provokimi.

Sepse kur të gjitha të kenë mbaruar mbeten vetëm skenat në të cilat shihet humbja e kontrollit, dhe pastaj këto skena transmetohen, përsëriten dhe shpërndahen në atë mënyrë që krijojnë një përshtypje krejtësisht të re dhe zakonisht aspak të këndshme për personin që është provokuar të veprojë në mënyrë të dhunshme.

Njeriu është qenie që gabon. Është qenie emocionale dhe jo gjithmonë racionale. E megjithatë, pikërisht njeriu ka pritshmëri joreale ndaj llojit të vet se gjithmonë duhet të jetë perfekt dhe të mos gabojë asnjëherë. Menaxhimi i emocioneve dhe veçanërisht menaxhimi i zemërimit nuk është gjë e lehtë, por nuk është as diçka e pamundur. Është diçka që mësohet dhe kultivohet dhe duhet të jetë pjesë e pandashme e sistemit edukativ dhe arsimor të vendit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button