Komuna e Gostivarit u dakordua për rritje të pagave për të punësuarit në administratë dhe ndërmarrjet publike

Komuna e Gostivarit njofton se nga takimi i sotëm i kryetarit të kësaj komune, Arben Taravarit me kryetarin e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Darko Dimovski dhe kryetarin e Sindikatës së Punonjësve në Organet Gjyqësore dhe Shoqatat Qytetare, Trpe Deanoski, u harmonizuan edhe detajet e fundit për rritjen e pagave në mënyrë lineare në vlerë prej 2.806 denarë, transmeton Portalb.mk.

Kontrata kolektive mes Komunës së Gostivarit dhe sindikatave pritet të nënshkruhet javën e ardhshme.

Nga kjo komunë thonë se edhe përkundër vështirësive financiare, vazhdojnë t’i plotësojë nevojat dhe kërkesat e punëtorëve.

“Dua të theksoj se si pushtet lokal, ishim të parët që në mandatin e kaluar rritëm pagat edhe në ndërmarrjet publike të qytetit, atëherë kur paga minimale në vend ishte 15.000 denarë, të punësuarit e ndërmarrjeve tona kishin 18.000 denarë, aq sa sot në Maqedoni është paga minimale. Uroj që rritja e pagës pos dinjitetit të të punësuarve, të ndikojë edhe në efikasitetin e shërbimit ndaj qytetarëve”, tha kryetari i Gostivait, Arben Taravari.

Javën e kaluar edhe Komuna e Tetovës nënshkroi ndryshimet e marrëveshjes kolektive me të cilën paga në mënyrë lineare rritet për 2,800 denarë, me çka nga muaji i ardhshëm të punësuarit në Komunën e Tetovës do të marrin pagë prej 2,800 denarë më shumë.

Ndryshe, dje Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) “karrigen e nxehtë” e vendosi para Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MShIA), ku kryesia e LSM kërkoi përmbushjen e premtimit për rritje linear të pagave për 2806 denarë për të gjithë punëtorët dhe kthimin e të drejtës së regresit nga 30 në 100 për qind.

Lidhja e Sindikatave ka hyrë në grevë të përgjithshme më 22 qershor. Punonjësit e sektorit publik do të jenë në vendet e tyre të punës, por nuk do të punojnë, përveç 10 për qind të punonjësve që do të jenë në dispozicion për nevojat e qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button