Qeveria e RMV-së paralajmëroi vendosjen e një sistemi pagash

Ministrja e punës dhe politikës sociale Jovanka Trençevska paralajmëroi vendosjen e një sistemi për rritjen e pagave në sektorin publik. Sindikatat kërkojnë rritje të menjëhershme, pasi kriza ekonomike dhe energjitike ushtron presion mbi punonjësit, transmeton Portalb.mk.

Sindikalistët erdhën për të protestuar para Ministrisë së Punës dhe politikës sociale, ministrja i ftoi të hyjnë në takim. Ajo premtoi dialog, por jo edhe pranim të kërkesave të tyre.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë doli në protestoi para Ministrisë në kuadër të grevës së përgjithshme në administratë. Ata kërkojnë rritje lineare të pagave të administratorëve për 2806 denarë dhe pagesën e K-15 në vlerë prej 30 deri në 100 për qind të pagës.

Sindikatat kujtojnë se u është premtuar rritje pagash me rebalancin e buxhetit, por tani qeveria nuk jep para për rritjen e pagave.

Kryetari i LSM-së Darko Dimovski njoftoi se nga qeveria nuk ka dëgjuar asgjë për kërkesat e tyre. Ai tha se procesi i pajtimit përfundoi pa rezultat, ndërsa me pajtuesin janë takuar vetëm një herë.

“U tha një metodologji e re, reforma etj. Me kërkesën tonë nuk u tha asgjë. LSM-ja kishte një kërkesë në tavolinë, pala tjetër erdhi me duar në xhepa, për të na bindur se nuk duhet të mbajmë grevë. Jo, ne jemi në grevë, po protestojmë dhe do të vazhdojmë”, tha ai.

Ministrja Jovanka Trençevska doli para protestuesve dhe tha se vendimet do të merren përmes dialogut social. Ajo njoftoi fillimin e dialogut për marrëveshje të re të përgjithshme kolektive dhe vendosjen e një sistemi që do të garantojë rritjen e pagave në sektorin publik.

“Ajo që në takimin e fundit me Sindikatën e prezantoi qeveria është fillimi i hartimit të një ligji të ri për pagat në sektorin publik, i cili do të krijojë një sistem pagash dhe nuk do të ketë parregullsi dhe padrejtësi të tilla tek punonjësit e sektorit publik. Procesi i përgatitjes së marrëveshjes së re të përgjithshme kolektive ka filluar dhe ta rrumbullakësojmë edhe K-15 deri në fund të vitit 2022 për sektorin publik”, tha Trençevska.

Pasi javën e kaluar nuk ishte pranuar amendamenti i LSM-së në Komisionin Parlamentar për Financa dhe Buxhet javën e kaluar, kryesia e LSM-së organizoi protesta para Qeverisë dhe Kuvendit, ndërsa mëngjesin e së hënës bllokoi për tre orë udhëkryqin në Avtokomandë në hyrje të Shkupit, duke penguar kështu mijëra qytetarë nga ardhja në punë në kohë.

Sindikalistët thonë se punëtorët nuk mund t’i rezistojnë më goditjeve të çmimeve, rritjes së çmimeve të ushqimit, gazit dhe energjisë elektrike dhe nuk mund të presin për zgjidhje sistematike sepse u duhen para menjëherë.

“Nëse ata kanë problem, kemi problem edhe ne, sipas krizës ekonomike, inflacionit dyshifror, krizës energjetike, madje edhe rritjes së paralajmëruar të energjisë elektrike mbi 10 për qind”, tha Dimovski.

Muajin e kaluar, ministri i Financave Fatmir Besimi publikoi një kolumnë ku njoftoi një metodologji të re që do të rregullonte pagat në sektorin publik, por edhe do të vlerësonte produktivitetin. Pagat mund të rriten kur të miratohet metodologjia.

Lidhja e Sindikatave ka hyrë në grevë të përgjithshme më 22 qershor. Punonjësit e sektorit publik do të jenë në vendet e tyre të punës, por nuk do të punojnë, përveç 10 për qind të punonjësve që do të jenë në dispozicion për nevojat e qytetarëve. Përveç grevës, LSM-së paralajmëroi forma të tjera të presionit sindikal dhe protestave në rrugë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button