LSM sot proteston para MPPS-së: Ku u zhduk premtimi nga 1 maji?

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot nga ora 10 deri në 13 do të vazhdojë protestën për rritje lineare të pagave për 2.806 denarë para Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, transmeton Portalb.mk.

Në pritje të ridorëzimit të një amendamenti për plotësimin e kërkesës së tyre në Komisionin Parlamentar për Financa dhe Buxhet, pakënaqësinë e tyre do ta shprehin para MPPS-së.

“Daljen në Kuvend do ta kërkojmë me amendament. Ideja jonë ka qenë që në Komisionin për Financa dhe Buxhet të vendojmë karrige sa ka anëtarë, por e shtynë, nuk dihet të enjten apo të premten. Prandaj po i ridrejtojmë aktivitetet para MPPS-së dhe të pyesim ministren Jovanka Trençevska se ku ka humbur dialogu social, premtimi që na ka dhënë më 1 maj dhe pse nuk është pranuar amendamenti në debatin për rebalancin e buxhetit “, tha kryetari i SSM-së Darko Dimovski mbrëmë në një paraqitje të ftuar në “Top Temë” në televizionin Telma.

Më herët janë organizuar protesta para Qeverisë dhe Kuvendit, ndërsa sot LSM bllokou udhëkryqin në Avtokomanda për hyrje dhe dalje nga Shkupi.

“Para tri-katër ditësh nuk kaloi amendamenti ynë i propozuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë – rritje lineare e pagave prej 2806 denarë për të gjithë punëtorët. Po protestojmë për t’i dërguar një mesazh të gjithë deputetëve dhe ministrave të paskrupullt që nuk na mbështesin se jemi gati për çdo gjë nëse nuk e votojnë këtë dhe nuk plotësojnë nevojat tona në këtë krizë ekonomike”, theksoi Dimovski.

Ai tha se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, Partisë Socialiste, Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët u kanë premtuar se do ta paraqesin edhe një herë amendamentin në komisionin parlamentar për korrigjimin të rebalancit të buxhetit, gjegjësisht, siç tha ai, të sigurojë ato 2806 denarë ose 30 milionë euro.

“Nesër do të shkojmë para MPPS-së ku publikisht do të kërkojmë nga ministrja Trençevska që të avokojë shumë më tepër për atë që na premtoi më 1 maj, kur ishte e pranishme si pjesë e përfaqësuesve të Qeverisë që na pritën në Qeveri. Më pas na premtoi se me rebalancin e buxhetit këto mjete mund t’i sigurojnë më së voni deri më 1 korrik. Domethënë edhe katër ditë, nuk ka asnjë shenjë për këtë”, tha Dimovski.

Lidhur me kërkesën për ndërmjetësim (pajtim) që LSM-ja, në pajtim me Ligjin për zgjidhjen paqësore të kontesteve të punës, e ka parashtruar më 7 qershor, Dimovski tha se nuk kanë marrë ftesë për njëzet ditë.

“Sipas nenit 23 të Ligjit për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve të punës, kur numëroni 20 ditë – nëse e kemi dorëzuar më 7 qershor, sot është 27 qershor, askush nuk na ka thirrur deri më tani, dhe nga nesër nuk kemi çfarë të pajtohemi. LSM mbetet e mendimit se ajo që na është premtuar para turmës gjatë festës së punëtorëve duhet të ndodhë”, shtoi Dimovski.

LSM shkoi në grevë të përgjithshme pas dështimit të negociatave të fundit me Qeverinë për kërkesat e tyre për rritje lineare të pagave në sektorin publik për 2806 denarë dhe kthim të së drejtës në rekurs për pushim vjetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button