ABETARJA DHE SAHATI

Një ditë e vrënët e një mesjave të qershorit. Vizitojmë për herë të parë një fshat të madh 100% shqiptar dhe pas bisedës së ngrohtë dhe çajit tradicional të zier dhe shërbyer me plot qejf e dashuri, shoku na nxjerr për të gjezdisur këtë vendbanim periferik dhe të shpërfillur, të lënë pasdore. Ecim “bulevardit”. “Kjo është shkolla, kjo është xhamia, shatërvani, kompleksi sportiv”- bën ciceronin. Dhe si zakonisht në shumicën e rasteve ndër ne, bërllok gjithandej. S’di se si por në një sekond bëmë “zoom” letrat që na preknin këpucët dhe ç’të shohësh, copëza të faqeve të librave shkollorë. Disa fëmijë të vegjël ecin bashkë me ne, sikur po na bëjnë shoqërim, dhe pas përkëdheljes dhe disa pyetjeve përafruese, iu drejtohemi: “Po këto letrat, poshtë, përtoke çfarë janë?” “Abetarja, matematika, librat e shkollës… Sot përfundoi viti shkollor”-na përgjigjet bardhoshi me sy depërtues. “Po pse be zemër i gjuani librat kështu?”- i kthehemi. “Po s’na duhen më”- na përgjigjet. Në pyetjen tonë se a do ta hidhnin librin e shenjtë të fesë, u trazuan: “Jo assesi, ai është Mus’haf, gjunah është”. Në rregull, ai është hyjnor, po edhe librat e tjerë duhet të trajtohen me pietet e respekt u shpjeguam atyre, duke i lutur që të mos veprojnë më në mënyrë të tillë. Abetarja është si elifbaja.

Ky rrëfim i shkurtër është shkurtorja, përmbledhja, rezymeja vetë e mendësisë sonë shqiptare. Nxënësit e sodit librin e kanë pranë, vetëm kur janë në ngushticë, derisa të përfundojnë klasën apo kur kanë provim, përndryshe nuk e ndjejnë atë si mik, si shoqërues të tyre, si dijefalës. Nëse kemi nxënës e studentë të këtillë, s’mund të shpresojmë ardhmëri të shëndoshë si bashkësi, si shoqëri. Kultura librore duhet që fëmijëve t’ju injektohet që nga gjiri familjar që të mos kenë animozitet nga ai, ta perceptojnë atë si afërt, si burim dhe frymëzim të jetës e jo si “segment traumatizues” të jetës së tyre.

Bashkë me një mik jemi në veturë duke shkuar në varrimin e nënës së një të riu shkupjan dhe duke folur për pajisjet e bjeshkatarisë – të cilën po e ushtrojmë qe disa vite – biseda arrin te tema e këpucëve speciale, që nxjerr një temë tjetër: esnafllëkun e këpucarit, saktësinë tonë dhe “të atyre”. H. tregon për atë se herën e fundit i ka çuar këpucët te një maqedonas që e ka bërë për vete me pedanterinë në trajtimin e klientit apo myshteriut. “Vajta te një “i joni” (shqiptar) dhe shikoj në derë, orari i punës fillon më 9, po ora 10 dhe s’ka shenjë të hapjes së dyqanit. Sidoqoftë ia lash këpucët, dhe pas disa ditëve, shumë pas datës së caktuar për pranim-dorëzim të tyre, shkoj që t’i marr dhe ustai më përgjigjet se s’janë gati, se i paskan mbetur mënjanë, e të tjera arsyetime. I nervozuar nga jokorrektësia, i thash që të m’i japë dhe kalova te një këpucar maqedonas në afërsi. Ia lashë dhe u ktheva në shtëpi. Telefoni, dhe ja mjeshtri: ‘Zotëri, këpucët e juaja të zeza mund të bëhen, të riparohen, kurse ato ngjyrë kafeje jo, kot do harxhoni para; çmimi është 350 denarë dhe mund të vini t’i merrni ditën e mërkurë nga ora 8 e mëngjesit deri në 17.’” “Dhe të martën, për të mërkurën, më doli një punë herët në qytet dhe doemos do kaloja nga këpucaria. Në 8 pa 5 isha para derës, kur në 8 pa 2, paraqitet silueta e plakut. Lamë hesapet dhe mbeta pa tekst. Kështu e ka esnafllëku i mirëfilltë, etika artizanale – thashë me vete”- tregon shoku afër të gjashtëdhjetave. Kjo flet për seriozitetin me të cilin i qasen ata (maqedonasit) dhe ne punës, për kulturën dhe nivelin në çdo lëmi të jetës. Deri kur ne do të jetojmë pa program, pa plan, pa agjendë, por sipas popullorçes “te rafsha mos u vrafsha”. Pse për të parin sahati s’është i rëndësishëm ndërsa për të dytin po? A s’kemi ne orë dore, telefonë që tregojnë orën apo i kemi për gjëra të tjera, për t’u treguar e krekosur para të tjerëve? Ekspertët e fushës flasin se në biznes është me rëndësi që të kesh klientë të kënaqur, të fitosh klientë të rinj dhe t’i ruash klientët e vjetër apo ata që i ke. Si do të fitosh besën e klientëve të rinj kur nuk je ekzakt në punë, kur ‘si përmbahesh kontratës që e ke të shënuar në derë? Imazhi ynë te të tjerët është gjithçka. Nëse e humb atë, edhe të jesh më i afti, s’të vjen kush në derë. Mirëbesimi ndërtohet me vite, ndërsa humbet në një çast. Serioziteti në perceptimin dhe ushtrimin e profesionit është element që flet për personalitetin por edhe për ndërgjegjen kolektive të një populli.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button