Hendeku gjinor mbizotëron edhe në përqindjen e ulët 4,6 të popullsisë së re të punësuar në Maqedoni (Infografik)

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka 104.035 persona në moshë pune prej 15 deri në 19 vjeç. Prej tyre vetëm 4766, më saktë vetëm 4,6 për qind janë të punësuar në mënyrë aktive, ndërsa vetëm 10,3 për qind janë aktivë, por që nuk janë të regjistruar as si të punësuar as si të papunë – kjo është paraqitja tabelore e të dhënave nga regjistrimi i fundit i popullsisë në vend, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Djemtë dhe vajzat e kësaj grupmoshe janë të detyruar ligjërisht të ndjekin dhe të përfundojnë arsimin e mesëm, gjë që qartëson tablonë e pjesëmarrjes së tyre të dobët në tregun e punës. Megjithatë, neni 18 i Ligjit të Punës thotë se i mituri i cili nuk është më i vogël se 15 vjeç mund të lidhë kontratë pune nëse ka aftësi të përgjithshme shëndetësore, gjegjësisht nëse vlerësohet si i aftë për punë.

Ky kuadër është i mundur vetëm nëse fëmija merr pjesë në aktivitete të cilat për nga shtrirja dhe karakteri i tyre nuk ndikojnë negativisht në shëndetin, sigurinë, zhvillimin dhe edukimin, si p.sh.: pjesëmarrja në aktivitete kulturore dhe artistike, ngjarje sportive dhe aktivitete reklamuese.

Të dhënat tregojnë se nga gjithsej 10.3 përqind e popullsisë aktive, 63,7 përqind ose 6.827 janë djem dhe 36,3 përqind ose 3.898 janë vajza. I njëjti proporcion vërehet edhe tek ata që janë aktivisht të punësuar, prej tyre 64,9 për qind janë meshkuj dhe vetëm 35,1 për qind janë femra. Pabarazia gjinore në këtë çështje edhe më tej vazhdon të varet nga disa faktorë shoqërorë.

Organizata e pavarur hulumtuese “Reaktor”, për Meta.mk, thotë se një nga arsyet kryesore për këtë pabarazi është arsimi, duke u nisur nga fakti se të rinjtë në këtë moshë janë të detyruar të përfundojnë arsimin e mesëm të detyruar.

“Përveç arsimit, një tjetër faktor që kontribuon në shkallën e ulët të aktivitetit dhe punësimit është barra e përkujdesjes për familjen dhe ndihma e papaguar në bizneset familjare. Dy faktorë të hendekut gjinor në të gjitha kategoritë e moshave, qasja e vonuar në tregun e punës, si dhe pozicioni i përgjithshëm janë kyç për të vendosur gratë në situatë të kryejnë punë që shpeshherë është e papaguar”, sqaron “Reaktor”.

Krahas punës së papaguar dhe të padeklaruar ndaj së cilës vajzat janë të ekspozuara shpesh, ekziston edhe numri i pamjaftueshëm i mundësive të punësimit si dhe i vendeve cilësore të paguara adekuate që ato do të mund t’i plotësonin në përputhje me legjislacionin për një grupmoshë të caktuar.

Rrjeti i mentorimit të grave “Stella” e thekson mbështetjen e pamjaftueshme familjare për zhvillimin akademik dhe profesional të vajzave si faktor ndikues, si dhe ka stereotipa e norma patriarkale për rolin e gruas në shtëpi dhe shoqëri.

“Është e nevojshme të hartohen dhe zbatohen masa për reduktimin e dallimeve ekzistuese gjinore, veçanërisht në tregun e punës, si në aspektin e politikave të punësimit dhe pjesëmarrjes së grave në masa të ndryshme aktive punësimi, ashtu edhe në aspektin e politikës arsimore, gjegjësisht  rritje të aksesit në arsim, ulja e kostos së arsimit dhe të ngjashme”, theksojnë ata.

Ngjashëm vlerëson edhe “Reaktor”  duke theksuar se këto shifra vijnë nga pozita shoqërore e gruas.

“Patriarkati i shoqërisë ku në një farë mënyre pritet që gratë të marrin përsipër barrën e kujdesit dhe aktiviteteve të papaguara, si dhe paaftësia e shtetit për të ndryshuar tendencat e tilla shoqërore duke siguruar akses të barabartë në tregun e punës në vend ndikon drejtpërdrejt mbi reduktimin e përfaqësimit të vajzave”, theksojnë nga “Reaktor”.

Vajzat e moshës 15 deri në 19 vjeç rrallëherë janë në gjendje të marrin përsipër përgjegjësitë familjare dhe të rrisin fëmijë, siç është rasti në grupmoshat më të larta. Megjithatë, zbulimet e fundit të Shoqatës së Gjinekologëve dhe Obstetërve të Maqedonisë -MAGO zbulojnë se në vitin 2020 nga numri i përgjithshëm i të porsalindurve, 4,9 për qind të foshnjave janë lindur nga nëna të moshës 15 deri në 19 vjeç.

Për të stimuluar vështirësitë jetësore të vajzave që janë në pozitën e palakmueshme të nënave të reja, nga Reaktor venë në pah se duhet një ndryshim në kuadër të ligjit për marrëdhëniet e punës, pra vendosja e lejes për mungesë së ndarë prindërore, me çka do të arrihet përkujdes i përbashkët për fëmijët mes baballarëve dhe nënave.

“Kjo do të nënkuptonte zvogëlimin e barrës aktuale, e cila vihet ekskluzivisht mbi supet e grave dhe do të mundësonte ndarjen e përgjegjësisë për përkujdesjen ndaj fëmijëve, e me këtë edhe barazi më të madhe gjinore në shtëpi, por edhe në tregun e punës”, thanë ata.

Gjithashtu, për të kapërcyer stereotipat gjinore, në “Stella” mendojnë se nevojitet të rritet ndërgjegjësimi dhe kjo përveç me fushata publike duhet të bëhet edhe nëpërmjet procesit edukativo-arsimor, duke filluar nga shkolla fillore me çka do të ndikohet në tejkalimin e paragjykimeve dhe normave përkatëse.

“Gjithashtu thelbësore është që institucionet private, publike dhe arsimore të zhvillojnë dhe zbatojnë një kod sjelljeje për të eliminuar plotësisht ngacmimin psikologjik dhe seksual ndaj vajzave dhe grave”, thonë nga “Stella”.

Sipas tyre, përdorimi i gjuhës së ndjeshme në aspektin gjinor në shpalljet publike për vende pune është i rëndësishëm dhe duhet të aplikohen praktika për të nxitur gratë të aplikojnë. Siç  thonë ata, për të arritur progres të tillë i rëndësishëm është procesi i mentorimit të vajzave të reja.

“Mentorimi ofron mundësi për të shkëmbyer informacione dhe dituri, por gjithashtu krijon hapësirë ​​të sigurt dhe marrëdhënie që bazohen në besim, të cilat janë vendimtare si mbështetje gjatë tejkalimit të barrierave të shumta me të cilat përballen vajzat dhe gratë. Kjo nevojë rritet sidomos kur bëhet fjalë për çështje më të ndjeshme, si mobingu dhe ngacmimet në vendin e punës apo në institucionet arsimore”, thonë nga rrjeti i mentorimit të grave.

Prandaj, për të arritur kërkesat e deklaruara, duhet që rregullisht të bëhen analiza ndërsektoriale me të cilat do të mblidhen të dhëna për gjininë, statusin socio-ekonomik, vendndodhjen dhe përkatësinë etnike të grave dhe vajzave, të cilat janë aktive dhe joaktive në procesin arsimor dhe në tregun e punës.

Përmirësimi i modeleve arsimore, promovimi i vendeve të punës për gratë dhe rritja e ndërgjegjësimit për arsimimin e vajzave në moshë të re do t’i ndihmojë Maqedonisë të ngrihet më lart në shkallën e vendeve me barazi të lartë gjinore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button