Status quo-ja shkon në favor të Rusisë. Është radha e Shkupit të lëvizë!

Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit bullgar dhe parlamenti kanë miratuar propozimin francez për zhbllokimin e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut (MV) në BE. Komisioni ka autorizuar kabinetin qeveritarë për të pranuar propozimin.

Nga ana tjetër “propozimi francez, siç është për momentin, është i papranueshëm për mua, për presidentin, për qeverinë, për partnerët e koalicionit dhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Populli im duhet të respektohet”, njoftoi në FB kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.

“Nëse do të ketë mirëkuptim të qëndrimeve tona gjatë presidencës franceze, ne jemi të gatshëm të angazhohemi në bisedime”. “Dua të shfrytëzoj rastin për të thënë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet lirisht të qëndrojnë të qetë”. “Ne gjithmonë vendosim në plan të parë interesat dhe qëllimet strategjike të shtetit. Askush nuk mund të imponojë zgjidhje pa pëlqimin tonë. Ne kemi bërë gjithçka, tani BE-ja e ka fjalën”- njoftoi Kovaçevski. Të premten qeveria e z. Kovaçevski njoftoi se ka pesë kushte për të pranuar propozimin.

1. Ndërkohë, Franca bëri të njohur se shpresat nuk janë shuar dhe fundi i qershorit është vendimtare për MV dhe Shqipërinë. Sidoqoftë, nga reagimet ndaj samitit të shumëpritur, u pa se dyshja ballkanike, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dolën më të hidhëruarit nga Brukseli dhe më të shpartalluarit kombëtarisht. Serbia është kryelartë se Kosova edhe kësaj here dështoi me liberalizimin e vizave, kurse Bullgaria hyri në një krizë të re politike e cila ka gjasa të reflektohet në vendet fqinje. BE përkundër reagimit të PLPJ Oliver Varhelyi, realisht as që u shqetësua shumë përse raportet bullgaro-maqedonase nuk u përmirësuan dhe nuk u arrit ndonjë marrëveshje në mes Shkupit dhe Sofjes para samitit.

Brukseli aktualisht është fokusuar në Ukrainë dhe Moldovë, ku Parlamenti Europian aprovoi statusin për kandidat të Ukrainës në BE. Tashmë dihet se Europa rrezikohet nga lufta në Ukrainë dhe Rusia e cila po kërcënon aktualisht BE-në nga Polonia ose nga pjesa e Kalingradit ku Estonia i ka bërë një bllokadë të fortë ekonomike Rusisë. Kjo e fundit, Moldova është e kërcënuar nga lufta ruse në Ukrainë.

Ashtu siç pritej para samitit, as Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të mernin datë nga BE-ja dhe, retorika e Tiranës dhe e Shkupit ishte e neveritshme. Më i nervozuar nga takimi doli kryeministri Edi Rama i cili ka lëshuar kritika të ashpra në adresë të Brukselit dhe Bullgarisë. Sofja gjithashtu nëpërmes ministrisë së Jashtme ka reaguar ndaj kryeministrit Rama.

Tash ky hidhërim duket paksa i pa kuptimtë, pasi shumë kritika ndaj Sofjes përshkak të sjelljes bullgare dhe aspak ndaj Serbisë e cila ka një qasje shtetërore më armiqësore ndaj Kosovës nuk qendrojnë. Bullgaria nuk ka kryer gjenocid në Maqedoninë e Veriut, ndërsa Serbia po.

Bullgaria nuk ka pretendime territoriale ndaj Shkupit, kurse Beogradi po. Dhe tash mospajtimet historike ballkanasit presin që Europa e zhvilluar tua zgjidhë?! Dhe i gjithë debati i Ramës dhe Kovaçevskit të koncentrohet në akuza ndaj të tjetërve dhe aspak në gabimet e tyre të brendshme të qeverisjes, duket tepër absurde.

2. Çka më tej? Të dyja vendet ose duhet të punojnë në afrimin e pozicioneve rreth Propozimit francez ose të mendojnë për një marrëveshje tjetër që do të mbyllte kontestin.

Status- quo -ja është e kotë dhe nuk shkon në favor as të Maqedonisë së Veriut dhe as Bullgarisë. Këmbëngulja e Shkupit për të mos biseduar rreth Propozimit francez është një disfatë tjetër në politikën e jashtme. Këtu mund të fitojnë vetëm forcat radikale dhe aktorët gjeopolitikë të jashtëm të interesuar për zënka të reja dhe historike.

Për t’i mos akuzuar që tani rusët dhe të tjerët, do të ishte mirë që qeveritë dhe ndoshta grupe tjera punuese ose zyrtarë më të aftë të punëve të jashtme të marrin në dorë çështjet e pa zgjidhura dhe të dalin me një propozim të ri që do të kënaqte të dyja shtetet dhe do të mbyllë derën ruse për në Ballkan.

Në qoftë se janë të interesuar për në BE dhe Ballkan paqësorë, atëherë MV-ja dhe Bullgaria, duhet të jenë më proaktive, ndërsa Shkupi zyrtarë duhet të ndërpresë diplomacinë e të paraqiturit si viktimë në Bruksel dhe në Uashington.

Koha po kalon, dhe momenti është tani që të hyhet në negociata pa akuza dhe të arrihet marrëveshje për të marrë një datë. Maqedonia e Veriut nuk humb asgjë nga negociatat, pasi hapja e  historisë së rrejshme komuniste që sot po pengon përparimin drejt BE-së, do t’ju ndihmojë të gjitha popujve të rajonit të dalin nga ideologjitë e së kaluarës dhe të ecin përpara.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button