fbpx

Osmani pret nga Franca të japë propozim përfundimtar, tre çështje janë kyçe nëse Qeveria do t’i pranojë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot theksoi se propozimi francez për heqjen e vetos bullgare nuk është përfundimtar, derisa Franca duhet t’i shohë pozicionet e të dyja vendeve dhe të dorëzojë propozim përfundimtar, njofton Portalb.mk.

“Qëndrimi ynë është i thënë publikisht dhe formalisht në udhëheqësinë franceze, mbetet që në ditët në vijim nëse udhëheqësia franceze do të ketë propozimin e saj përfundimtar në lidhje me këtë çështje. Deri më tani kemi pasur version pune në të cilin kanë mbetur të definuara disa çështje, a ato janë çështjet e protokollit, pasi protokollin ne e shohim simbolik si paradigmë të interpretimeve historike. Mendoj se nëse ka vullnet politik që të kuptohen sensitivet tona, do të mund të gjendet zgjidhje në ditët e ardhshme”, theksoi Osmani.

Ai shtoi se tre çështje janë kyçe në lidhje me atë nëse Qeveria do ta pranojë propozimin francez. Osmani tha se gjuha, çështjet historike si kriter për avancim të bisedimeve dhe dinamika e ndryshimeve kushtetuese janë kyçe për atë se çfarë vendimi do të miratojë vendi.

Ai sqaroi se në propozimin francez ka pasur kllapa dhe çështje, në fakt, kanë qenë çështje që nuk janë të harmonizuara, edhe njëherë e theksoi pozicionin e Maqedonisë së Veriut në lidhje me tre pikat e lartpërmendura.

“Në çdo rast, qëndrimi ynë është se çështja e gjuhës, historisë të mos jenë pjesë e kornizës negociuese, a edhe sekuenca e hapave mes ndryshimeve të Kushtetutës dhe fillimit të bisedimeve janë çështje që janë të rëndësishme në vendimin tonë”, tha Osmani.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq tha se vendi ynë nuk mund të heqë dorë nga rruga drejt BE-së, por edhe nuk mund të heqë dorë nga pozitat që janë të rëndësishme për çdo shtet.

“Hapësirë për përgjegjësi jashtë kësaj nuk shoh, më e madhe është përgjegjësia e personave që tentuan ta shkatërrojnë strategjinë shtetërore duke transmetuar informata të cilat as ishin të sakta as përfundimtare”, tha Mariçiq.

Ndryshe, Parlamenti bullgar e miratoi rezolutën që miraton heqjen e vetos për fillimin e negociatave të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Propozimi kaloi me 170 vota pro, 37 kundër dhe 21 abstenime. Janë përfshirë kushtet bullgare, përfshirë mosnjohjen e “gjuhës maqedonase”. Me këtë plotësohet kushti i kryeministrit Kiril Petkov, që Parlamenti bullgar të diskutojë zgjidhjen e propozuar dhe më pas të merret vendim në nivel qeveritar.

Dje anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Bullgarisë debatuan për tre orë e gjysmë për tri zgjidhjet e propozuara për zgjidhjen e kontestit maqedono-bullgar. Pas debatit, Komisioni mbrëmë e miratoi propozimin e liderit të “Bullgarisë Demokratike” Hristo Ivanov, për zgjidhjen e marrëdhënieve Sofje-Shkup.

Sipas BGNES, propozimi është miratuar me votat e GERB-it dhe DPS-së dhe dokumenti i votuar është bazuar në propozimin francez. Partitë “Ka një popull të tillë”, BSP dhe “Prerodba” thanë se nuk do ta mbështesin vendimin sepse dallon nga ai që deri tani e ka miratuar Parlamenti bullgar. Në të njëjtën kohë, ITN theksoi se debati në Komisionin është i pakuptimtë, sepse kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski tashmë e ka refuzuar propozimin.

Me propozimin francez parashikohet që Kuvendi Kombëtar t’i japë mandat qeverisë të miratojë propozimin e presidencës franceze për ndryshimin e projekt-kornizës së negociatave dhe heqjen e vetos ndaj RMV-së.

Propozimi i “Bullgarisë Demokratike” parashikon që ajo të bëhet nën 4 kushtet:

  • rafinimi i tekstit për të siguruar hyrjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut;
  • asgjë në procesin e anëtarësimit të Shkupit në Bashkimin Evropian nuk mund të interpretohet si njohje bullgare e ekzistencës së “gjuhës maqedonase”;
  • të sigurohet që fqinjësia e mirë të mbetet kriter horizontal deri në përfundimin e negociatave të Shkupit me BE-në;
  • rishikimi periodik i zbatimit të marrëveshjes së fqinjësisë të bëhet publik në procesin e negociatave.

Dje, presidenti francez Emmanuel Macron, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e Bashkimit Evropian, tha se ishte në pritje të një vendimi përfundimtar nga parlamenti bullgar mbi propozimin për të zhbllokuar të drejtën e vetos në bisedimet e pranimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Ai tha në një konferencë shtypi pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel se besonte se ishin afër një marrëveshjeje që Shkupi dhe Tirana të ecin përpara me negociatat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button