RMV, dekani nuk ka njohuri se profesorët i kushtëzojnë studentët me libra

Drejtoria e Fakultetit për Dizajn dhe Teknologji të Mobileve dhe Enterierit (FDTME) në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi, nuk ka njohuri se profesorët e këtij fakulteti kërkojnë prej studentëve të blejnë libra si kusht për të marrjen e nënshkrim dhe notë. Kështu tha, për “Meta.mk”, dekani Goran Zllateski, pas rastit në të cilin studentët e akuzuan një profesoreshë se i kishte kushtëzuar që personalisht prej saj ta blinin librin e saj për të regjistruar rregullsinë e tyre dhe për të qenë në gjendje të hynë në provim, raporton Portalb.mk.

Zllateski thotë se është në dijeni për rastin se studentët e kanë raportuar gojarisht në Zyrën për Çështje Studentore, por shkresë zyrtare me ankesë, sipas së cilës drejtoria do të vepronte nuk kanë marrë. Dekani shton se ai dëshiron të mbrojë studentët, por sqaron se para tij nuk ka fakte që tregojnë se fenomene të tilla ka.

“Në fakultet nuk ka arritur shkresë zyrtare nga studentët, por të premten e kaluar ata kanë reaguar gojarisht në shërbimin për çështje studentore. Unë si dekan kërkova informacion nga profesoresha dhe mora përgjigje se mesazhi që u është dërguar studentëve ishte nxjerrë nga konteksti dhe ishte ndryshuar. Ne si institucion përpiqemi që të drejtat e studentëve të jenë në plan të parë dhe bëmë përpjekje që ai provim të caktohet sërish për një ditë tjetër. Nuk di si të veproj ndryshe, nuk kam prova apo kallëzime. Duam t’i mbrojmë studentët, por para nesh nuk ka fakte”, tha Zllateski.

“Meta.mk” të premten publikoi informacion se një grup studentësh në FDTME e kanë akuzuar profesoreshën e tyre se prej tyre ka kërkuar që personalisht nga ajo t’i blejnë libra që të marrin nënshkrim për rregullsi, e më pas, pasi rasti ka dalë në publik, i ka kushtëzuar që ta zbulojnë identitetin e studentit që e kishte zbuluar rastin, në të kundërtën nuk do t’u lejonte të hynë në provim.

Profesoresha, e cila është edhe prodekane e FDTME-së, ka konfirmuar për “Meta.mk” se i kishte ngarkuar studentët që ta zbulojnë identitetin e atij që kishte ndarë mesazhin me publikun, pasi kishte qenë e shqetësuar, por ka mohuar se kusht për të marrë nënshkrim për lëndët që ajo i ligjëron ishte blerja e librave të saj autorialë
Dekani i FDTME thotë se është i befasuar nga reagimet e studentëve dhe rasti për të cilin ka shkruar “Meta.mk”, pasi deri më tani nuk ka pasur njohuri se profesorët i kanë kushtëzuar studentët për nënshkrim dhe për të marrë nota.

“Ka gjashtë muaj që jam dekan dhe deri më tani nuk kam dijeni për një gjë të tillë. Ky rast më befason, sepse është i pari”, tha dekani Zllateski.

Ai i inkurajon studentët që rastet e tilla t’i raportojnë menaxhmentit të fakultetit në mënyrë që të ndërmerren veprime dhe të bashkëpunojnë me të gjitha institucionet që, nëse ka dukuri të tilla, të çrrënjosen.

“Meta.mk” para tri ditësh iu drejtua Inspektoratit Shtetëror të Arsimit (ISHA) për të pyetur nëse kanë njohuri për rastet në të cilat studentët kushtëzohen nga profesorët e tyre që të blejnë libra duke paguar “kesh në dorë”.

Në përgjigjen që ka mbërritur dje nga ISHA thuhet se deri në atë moment nuk ka pasur raportime apo ankesa mbi këtë bazë.

“Nëse ka fenomen të tillë, do të duhet të raportohet te ndonjë institucion kompetent, ndërsa ne si ISHA me të dhënat e nevojshme (te cili profesor me emër dhe mbiemër, në cilin fakultet dhe në cilin universitet) do të veprojmë në përputhje me kompetencat tona, do të realizojmë inspektim të jashtëzakonshëm dhe nëse konstatohet pretendimi do të ndërmarrim masat e duhura ligjore që janë në kompetencën tonë, si dhe do të njoftohen organet e tjera kompetente për të vepruar sipas tij”, thonë nga Inspektorati Shtetëror Arsimor.

Studentët të cilët kanë kontaktuar me “Meta.mk” pohojnë se profesoresha edhe në semestrin e kaluar ka kërkuar që personalisht prej saj të blejnë libra që kushtojnë rreth 900 denarë, si kusht për t’ua verifikuar rregullsinë dhe mundësi për të hy në provim në ato lëndë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button