fbpx

Pendarovski: Synimi i Sofjes nuk është që bullgarët të hyjnë vetëm në preambulën e Kushtetutës, por edhe në pjesën normative

Presidenti Stevo Pendarovski thotë se propozimi i ofruar nga Franca mund të jetë bazë e mirë për një kompromis që do t’i mundësonte Maqedonisë së Veriut të hyjë në procesin e negociatave me BE-në, por beson se çështje të tilla si ato historike nuk e kanë vendin në Kornizën negociuese, transmeton Portalb.mk.

Në një intervistë për TV24, Pendarovski zbuloi se Bullgaria nuk kërkon që bullgarët të shënohen vetëm në Preambulën e Kushtetutës, por edhe në pjesën normative të saj. Pendarovski thotë se asnjë komunitet në vend nuk është i përfshirë në pjesën normative të Kushtetutës, kështu që nuk mund të hyjnë as bullgarët. Në pjesën normative të Kushtetutës tani përmendet vetëm populli maqedonas, maqedonasit që jetojnë jashtë kufijve të shtetit, KOM-i dhe Bashkësia fetare islame.

Ai thotë se Sofja nuk flet për “bullgarët”, por për “bullgarët maqedonas”, gjë që ai e interpreton si rikthim në “tezën e turpshme” për debullgarizimin e Maqedonisë.

Kreu i shtetit thotë se për të do të ishte e papranueshme që kuadrin e negociatave me BE-në të hyjnë çështje historike dhe mosmarrëveshje gjuhësore.

“Asnjë prekje dhe rishikim i historisë. Gjuha dhe historia jo! Do të ketë komision, por përparimi në punën e tij në asnjë mënyrë nuk do të jetë parakusht për përparim drejt BE-së”, tha Pendarovski.

Kërkesa të reja bullgare

Ai vlerëson se për Maqedoninë e Veriut nuk është keq nëse në mosmarrëveshjen bullgare përfshihet një palë e tretë, duke aluduar në përfshirjen e disa çështjeve nga mosmarrëveshja dypalëshe në kornizën negociuese, gjë që do t’i lejojë BE-së të kontrollojë zbatimin e tyre.

Pendarovski thotë se në takimin e djeshëm të ministrave të jashtëm të BE-së, Bullgaria doli me pesë kërkesa të reja për ndryshime në propozimin francez, ndërsa midis tyre edhe një në pjesë e gjuhës që kërkon që “interpretimi bullgar i gjuhës maqedonase të fitojë fuqi të barabartë juridike në kornizën negociuese”. Ndër të tjera, për shkak të zhvillimeve të tilla, Pendarovski tha se e këshilloi kryeministrin Dimitar Kovaçevski që të mos shkojë në samitin e paralajmëruar BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel të enjten, më 23 qershor.

“Samiti Ballkani Perëndimor-BE? Për çfarë duhet të shkojmë kur asnjë vend nuk po përparon,” tha Pendarovski.

Kovaçevski, së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, njoftuan se po shqyrtojnë nëse do të marrin pjesë në samitin në Bruksel.

Pendarovski thotë se megjithatë nuk i pëlqen që një vendim i tillë të merret në nivel të Ballkanit të Hapur – iniciativë që duhet të ketë poentë thjesht ekonomike – e jo politike.

Pendarovski e vlerëson si “pafytyrësi” vendimin e Kishës Ortodokse bullgare të martën, e cila e njohu kishën ortodokse maqedonase, por jo emrin e saj (KOM-OA).

Kujtojmë se hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohet nga Bullgaria. Dy vendet raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button