Rama- Samiti i BE-së: Çka të kërkojmë atje, të dëgjojmë ‘jo, na vjen keq’

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi sot se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nuk kanë çka të kërkojnë në Samitin e të Bashkimit Evropian, i cili do të mbahet këtë të enjte, transmeton Portalb.mk.

Rama sot përmes një shkrese tha se ka komunikuar me liderët e RMV-së dhe Serbisë dhe kanë ardhur në përfundim se ky samit do ju sjellë përsëri përgjigje negative.

“Kam diskutuar sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për samitin e radhës të Bashkimit Evropian. Duket se një tjetër ‘Jo, na vjen keq’ do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund. I gjithë Bashkimi është i kidnapuar nga Bullgaria, nuk është një spektakël i mirë për ta shikuar. Çka të bëjmë ne atje?!”, shkroi Rama.

Për këtë takim shkroi edhe kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski.

“Përpara samitit të ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor, sot zhvilluam një takim të jashtëzakonshëm për Ballkanin e Hapur së bashku me kolegët e mi Aleksandar Vuçiq e Edi Rama. Diskutuam për pozicionet kombëtare të secilit vend, perspektivat rajonale dhe dinamikën e procesit të integrimit evropian. Konsultime të brendshme shtesë do të bëjmë nesër në mëngjes kur edhe do të marrim një vendim përfundimtar për pjesëmarrjen tonë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel”, shkroi Kovaçevski.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq njoftoi sot se vendimin do ta zbulojnë të mërkurën.

“Unë fola me Ramën dhe Kovaçevskin këtë mëngjes për samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel. Ne ramë dakord që, pas konsultimeve me qeveritë dhe këshilltarët tanë, do ta shpallim vendimin nesër në mesditë (e mërkurë v.j.) nëse do të marrim pjesë në këtë takim”, shkroi Vuçiq.

Mediat në Serbi raportojnë se Maqedonia e Veriut po insiston të bojkotojë këtë ngjarje për shkak të mos nisjes së negociatave për anëtarësim me të dhe Shqipërinë, si pasojë e kundërshtimeve të Bullgarisë me Shkupin zyrtar.

“Serbia e Shqipëria po mendojnë të solidarizohen me Maqedoninë”, shkruan “B92” të martën.

Të enjten do të mbahet Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe ka mundësi që tri shtetet që themeluan nismën “Ballkani i Hapur”, ta bojkotojnë atë.

Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjerogjisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button