Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Qeveria nesër vendos nëse (nuk) do të shkojë Kovaçevski

E enjtja do të jetë dita më interesante në 10 vitet e fundit në Evropë, thotë presidenti i Serbisë, duke bërë të ditur se është në konsultime të vazhdueshme me Ramën dhe Kovaçevskin nëse do të udhëtojë për në Bruksel. Ministri i Punëve të Jashtme i RMV-së, Osmani tha se vendimin nëse kryeministri do të marrë pjesë në Samit do të merret nga Qeveria në seancën e nesërme, shkruan 360 Shkallë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq lë të kuptohet se liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të mos marrin pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Bruksel më 23 qershor. Ai bëri të ditur se bashkë me kolegët nga rajoni po ndërtojnë qëndrim nëse do të për në Bruksel.

“Kam marrë ftesë zyrtare për të marrë pjesë në takimin të enjten. Do të pres konsultimet në kuadër të Ballkanit të Hapur, me z. Rama dhe z. Kovaçevski. Do të konsultohem edhe me Qeverinë. Pastaj do të vendosim nëse do të shkojmë në Bruksel dhe cili do të jetë qëndrimi ynë. Unë mund t’ju them se çfarë mendoj tani, por nuk do ta bëj këtë përpara se të konsultohem me anëtarët e qeverisë dhe dua të dëgjoj mendimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, të shoh dhe të dëgjoj qëndrimin e tyre,” tha sot Vuçiq.

Ai theksoi se e enjtja është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse në bazë të asaj që do të ndodhë në Samit, do të mund të shihet se si do të jetë arkitektura në Evropë.

“Do të jetë ndoshta dita më interesante në dhjetë vitet e fundit në Evropë, në nivel evropian. Jo për ne brenda, por në nivel evropian, sigurisht. Ndoshta dita më interesante. Atëherë do të shohim se si do të jetë arkitektura e Evropës, do të mund të kuptojmë se çfarë na pret dhe do të mund të shohim vendin tonë ose të kuptojmë më mirë vendin tonë. Duke mos e nënvlerësuar veten, por edhe duke mos e mbivlerësuar as ata e as ne”, tha Vuçiq.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Bujar Osmani, në një intervistë për televizionin Telma, i pyetur nëse kryeministri Kovaçevski do të marrë pjesë në Samitin e Brukselit, tha se vendimin do ta marrë Qeveria nesër.

“Nesër kemi seancë. Ajo do t’i japë mandat kryeministrit tonë për të marrë pjesë ose jo. Kështu që ai vendim, natyrisht, do të merret nesër. Nuk dua të paragjykoj, e them qartë se cila është forma e vizitave të tilla”, tha Osmani.

Kujtojmë se hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohet nga Bullgaria. Dy vendet raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button