fbpx

Radev: Propozimet e presidencës franceze janë më të mirat dhe më të drejtat

Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev tha sot se propozimet e presidencës franceze për zhbllokimin e rrugë së Maqedonisë së Veriut drejtë BE-së janë “më të mirat dhe më të drejta për momentin”, duke i kërkuar qeverisë bullgare të mbajë qëndrim për propozimin, shkruan 360 Shkallë, transmeton Portalb.mk.

“Qasja aktuale nuk mund të funksionojë. Qeveria bullgare duhet të japë një opinion bazuar në ekspertizën e Ministrisë së Jashtme bullgare dhe nëse në ndonjë mënyrë e përditëson qëndrimin e kornizës kombëtare me vendimin e saj, vetëm atëherë ta dërgojë atë për miratim në Parlament dhe jo anasjelltas”, tha Radev.

Sipas Radevit, qëndrimi kornizë i Bullgarisë në vitin 2019 është përcaktuar dhe miratuar me vendim të Qeverisë së atëhershme bullgare dhe më pas është mbështetur me një deklaratë të miratuar nga përbërja e atëhershme e Kuvendit.

“Ka vërtet progres. Ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë është pranuar të ndodhë. Në Sofje nuk kemi folur kurrë për pakicë, por për barazinë e bullgarët e Maqedonisë, të cilën ata e meritojnë. Fillimisht ndryshimi i Kushtetutës dhe vetëm më pas fillimi i negociatave me BE-në”, shtoi Radev.

Sipas tij, qasja aktuale e Qeverisë në lidhje me propozimin francez, që duhet ta deklarojë Parlamenti bullgar, çon në bllokadë dhe pamundësi për të marrë vendim.

“Organi që do të hartojë këtë vendim duhet të jetë qeveria bullgare dhe parlamenti duhet ta miratojë dhe jo anasjelltas”, shtoi Radev.

Kryeministri bullgar Kiril Petkov tha të shtunën se nuk do të shkojë në samitin e BE-së në Bruksel këtë javë “me qëndrimin e qeverisë për “propozimin francez”, por me një vendim të Parlamentit Bullgar.

“Propozimi i presidencës franceze të BE-së është tashmë në Parlamentin Kombëtar të Bullgarisë. “eputetët do të marrin një vendim dhe unë do të përmbush vullnetin e Kuvendit”, ka thënë Petkov.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i vendit, Bujar Osmani në një intervistë për Tellma duke folur për për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Bullgarinë, tha se për të më e rëndësishmja është që së pari të përcaktoj nëse ka vullnet politik para se t’u qasemi çështjeve, zgjidhjeve dhe dokumenteve specifike.

“Deri tani nuk shohim vullnet politik në Sofje. “Sapo të shohim sinjalin se ka vullnet politik, atëherë do të hyjmë në ato bisedime sa më tutje për propozime konkrete”, tha Osmani.

Ai gjithashtu nënvizoi se propozimi portugez është bazë për zgjidhjen e kontestit gjuhësor me Bullgarinë. Ndërsa
i pyetur nëse Ministria e Punëve të Jashtme do të kërkojë nga Kuvendi që të vendosë nëse do të vazhdojë procesi edhe më tutje, Osmani tha se është miratuar një Deklaratë që përcakton kornizën e qëndrimit të Maqedonisë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot deklaroi se çështjet dypalëshe me Bullgarinë nuk duhet të jenë pjesë e kornizës negociuese për shkak se ekziston marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe se korniza negociuese duhet të jetë dokument multilateral nga të gjitha vendet anëtare.

“Korniza negociuese duhet të jetë dokument multilateral në të cilin do të bisedohet dhe brenda të cilit do të vendoset korniza negociuese në lidhje me aderimin drejt BE-së si organizata e shteteve anëtare, ndërsa çështjet dypalëshe duhet të zgjidhen në nivel dypalësh. Protokolli nuk paraqet marrëveshje të posaçme ose diçka të re që po ndodh me Republikën e Bullgarisë për shkak se protokolle të tilla bëhen për statusin dhe hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren për zbatimin e Marrëveshjes me Bullgarinë dhe obligimeve që dalin prej kësaj marrëveshjeve që i kanë marrë RMV dhe Republika e Bullgarisë. Protokolli është puna e ministrive të jashtme dhe grupeve të ekspertëve në lidhje me ecjen e disa çështjeve të caktuara”, deklaroi Kovaçevski.

Kryeministrja e Finlandës Sana Marin e cila vizitoi vendin sot, tha se përgjegjësia e BE-së është që gjendja e vendit tonë të mos ngelet por negociatat të fillojnë menjëherë.

“Pozita jonë në lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është shumë e qartë, duam që të ketë progres, duam ta shohim Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë se si bëhen vende anëtare të BE-së në të ardhmen dhe duhet të përparojmë në lidhje me këtë çështje. Po ashtu mendoj se BE-ja ka përgjegjësi që të sigurohet se situata nuk do të mbetet e ngrirë. Duhet së bashku të diskutojmë për çështjen me Bullgarinë dhe të sigurohemi se do t’i kemi udhëzimet dhe rrugën për të lëvizur” tha Sana Marin.

Kujtojmë se hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohet nga Bullgaria. Dy vendet raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button