Të gjitha detajet e propozimit francez për zgjidhjen e kontestit bullgaro-maqedonas, sipas DW

DW ia doli të gjejë të dy dokumentet që i ka ofruar Franca si zgjidhje, për të tejkaluar kontestin midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut: Korniza Negociatore dhe Draft Konkluzionet e Këshillit të BE-së.

Maqedonia e Veriut, për të filluar negociatat e anëtarësimit me BE-në, do të duhet të merr obligimin që sa më shpejt që të jetë e mundur të ndryshojë Kushtetutën, për të përfshirë bullgarët në preambulë e më pas të miratojë një Plan Veprimi për mbrojtjen e të drejtave të tyre, thuhet në propozimin francez që është dorëzuar në Sofje.

Shkupi zyrtar, të paktën deri tani, pretendon se ky dokument nuk ka mbërritur te ta. Njëkohësisht, pjesa më e madhe e planit “4 + 1” mbi bazën e të cilit dy vendet po negociojnë për të kapërcyer kontestin dypalësh, kalon në Kornizën Negociatore.

Kështu, në Planin e veprimit të cilin do të duhet ta zbatojë Shkupi, përveç mbrojtjes së minoriteteve dhe mos diskriminimit, përmendet edhe arsimi. Veç kësaj, në mënyrë që negociatat për 1nëtarësim të paktën të fillojnë, Bullgaria do t’i duhet të jetë e kënaqur se nuk bëhet edhe më tej diskriminim në vend dhe se nuk përdoret gjuhë e urrejtjes. Këto çështje do të rregullohen me Planin e veprimit për të cilin Shkupi do të duhet të obligohet se do ta realizojë.

Me këtë propozim, për të cilin Sofja duhet të deklarohet këto ditë, mbetet aktiv edhe kontesti për gjuhën maqedonase, që Bullgaria e hapi, sepse në propozim parashihet që të dy vendet me deklarata të njëanshme t’i drejtohen BE-së me shpjegime për gjuhën.

Njëkohësisht, Franca propozon një zgjidhje unike për organizimin e dy Konferencave Ndërqeveritare. E para më 23 qershor në Bruksel, të cilën e prezanton si “politike”, dhe e dyta në të ardhmen, kur Maqedonia e Veriut të përfundojë me ndryshimet kushtetuese.

Deutsche Welle, nëpërmjet burimeve diplomatike, ka ardhur deri te të dy dokumentet, dhe në vijim po përcjellim pikat kyçe të tyre. E para është Korniza Negociatore në të cilën janë shtuar disa kërkesa bullgare dhe e dyta është projekt-konkluzioni që Presidenca Francë do t’ia paraqet Këshillit të BE-së.

Komisioni do ta monitorojë progresin

Në vetë Kornizën Negociatore, në pikën 4 ku janë numëruar detyrimet e Maqedonisë së Veriut për të respektuar vlerat e BE-së, përveç kërkesave “tradicionale” për përparim në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore, presidenca franceze e ka shtuar “anti-diskriminimin dhe luftën kundër gjuhës së urrejtjes”.

Në pikën 10, theksohet edhe një herë nevoja për mbrojtje dhe qëndrimit jo diskriminues ndaj personave të cilët u përkasin pakicave apo komuniteteve. “Për të siguruar që progresi nuk do të kthehet prapa në këto segmente dhe zbatimin e plotë të tij, progresi do të monitorohet nga afër nga Komisioni, i cili do t’i raportojë Këshillit”.

Sa i përket dilemës nëse Bullgaria ka hequr dorë nga kontestimi i ekzistimit të gjuhës maqedonase, pika 11 i zgjidh në masë të madhe ato dilema. Megjithëse Brukseli gjuhën e quan “maqedonase”, Bullgaria dëshiron të sqarojë qëndrimin e saj me një deklaratë.

“Për sa i përket përkthimit të ligjeve të BE-së në maqedonisht, BE-ja e vë në pah synimin e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të paraqitur deklarata të njëanshme për gjuhën maqedonase”.

Plan veprimi për kërkesat bullgare

Në pikën 35 të kapitullit të Procedurat Negociatore është shtuar edhe një pjesë që i përgjigjet kërkesave të Bullgarisë.

Përkatësisht, kjo pikë e përshkruan Udhërrëfyesin për sundimin e ligjit në vend, të cilin qeveria në Shkup duhet ta miratojë në bazë të shqyrtimit që do ta bëjë Komisioni Evropian në vend. Risia në këtë pjesë është kjo:

“Maqedonia e Veriut do të miratojë, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës,Plan veprimi që synon mbrojtjen e të drejtave të personave të cilët u përkasin pakicave apo komuniteteve, përfshirë edhe në pjesën e mos-diskriminimit, luftën kundër gjuhës së urrejtjes, arsimin, sigurimin e masave efektive, mekanizmave të raportimit dhe identifikimin e institucioneve përgjegjëse për atë gjë”.

Miratimi dhe zbatimi i këtij Plani Veprimi më tej shtohet si kusht për hapjen e klasterit të parë me BE-në të quajtur “Themelet”.

Më tutje, në pikën 47, ku shpjegohet monitorimi i progresit të Maqedonisë së Veriut nga Komisioni, është shtuar edhe një fjali: “Komisioni do t’i kushtojë vëmendje të veçantë angazhimeve të Maqedonisë së Veriut për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal, siç thuhet në pikën 5, dhe do të informojë Konferencën Ndërqeveritare për zbatimin e tyre.”

Detajet e tjera për atë se çfarë mund të pritet nga marrëveshja dypalëshe ndërmjet qeverive të Shkupit dhe Sofjes mund të gjenden në Projekt-konkluzionet që Franca ia propozon Këshillit të BE-së. Parisi thekson se “Maqedonia e Veriut planifikon si prioritet” të bëjë “ndryshime kushtetuese për të përfshirë në preambulën e Kushtetutës qytetarët të cilët jetojnë brenda kufijve të vendit e që janë pjesë e kombeve të tjera, si bullgarët”.

Nëse Shkupi merr përsipër një gjë të tillë, më 23 qershor në Bruksel do të mbahet “konferencë politike ndërqeveritare”, e cila, siç kuptohet nga Draft-konkluzionet, nuk do të jetë konferencë ndërqeveritare që do të mundësojë fillimin e negociatave për anëtarësim. Konferenca e vërtetë Ndërqeveritare do të mbahej vetëm pasi të ndryshohet Kushtetuta dhe të përfshihen bullgarët në të. Negociatat me BE-në për anëtarësim të plotë do të nisin pasi të plotësohen parakushtet për hapjen e klasterit Themelet.

Klasteri Themelet do të hapet i pari dhe do të mbyllet i fundit, në mënyrë që përparimi në atë segment të mund të përcillet, shtohet në vazhdim. Njëkohësisht, në pikën 51, propozimi francez parashikon kontroll paralel të Udhërrëfyesit për progresin në pjesën e sundimit të ligjit dhe Planin e Veprimit me çka duhet të sigurohet mbrojtja e minoriteteve. Për më tepër, në pikën 53, ku shpjegohen standardet për klasterin Themelet, saktësohet se Udhërrëfyesi për sundimin e ligjit dhe Plani i Veprimit, të cilat praktikisht burojnë nga kërkesat bullgare, janë të barabarta për nga rëndësia dhe pa përmbushjen e tyre të plotë shteti nuk do të mund të vazhdojë më tutje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button