Ceci n’est pas un veto

Që nga viti 2018 jemi në pritje dhe çdo qershor ballafaqohemi me ngritje shpresash e më pas me zhgënjim në rrugën e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Tani më katër vite kjo rrugë është kthyer në një nga ato sagat pa fund të telenovelave skajshmërisht patetike. Në vitin 2018, kur sapo ishte nënshkruar Marrëveshja e Prespës, kur të gjitha shpresat ishin ngritur lartë se, po, ky është momenti kur do të jepet drita jeshile për dhënien e datës për fillim të negociatave, u ballafaquam me dushin e ftohtë françez, kur Makron na vendosi veto, e më pas tha që kjo nuk ishte një veto.

Kjo ma kujton pikturën e famshme të surealistit belg, René Magritte të quajtur “Mashtrimi i imazheve”. Magritte pikturoi llullën e tij, dhe poshtë saj shënoi “Ceci n’est pas une pipe (Kjo nuk është një llullë)”. Qëllimi i piktorit ishte të tregojë se imazhet janë mashtruese. “A mund ta ndezësh këtë llullë? Jo pra, kjo nuk është një llullë, është vetëm imazhi i llullës.” – citohet të ketë thënë piktori. Piktura e tij shumë e njohur është ekspozuar në muzeun e arteve në Los Angeles.

Ngjashëm me Magritte, në vitin 2018, në kohën kur në shtetin tonë ndodhnin ndryshime historike dhe kur u zgjodh një problem ndërkombëtar 30 vjeçar, Makron kërkoi që të ndryshojë metodologjia e integrimit në Unionin Evropian dhe me këtë pamundësoi që në samitin e atëhershëm UE të japë datë për fillimin e negociatave me RMV. Mbeti vetëm që Makron të pikturojë një pikturë dhe poshtë saj të shënojë: “Ceci n’est pas un veto (Kjo nuk është një veto)”.

Ja ku jemi, në vitin 2022, dhe ende nuk po arrijmë t’i heqim vetot e vendosura. Tani është vet Makron ai që angazhohet që Bullgaria të heqë veton lidhur me Maqedoninë e Veriut dhe ne përfundimisht të fitojmë datën e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Asgjë nuk dihet dhe gjithçka është e mundur. Por ajo që ndryshon është ndjesia që sa vjen e ftohet çdo vit.

Në vitin 2018, e gjithë pjesa progresive e qytetarëve të këtij vendi që vërtet beson në vlerat Evropiane, u zhgënjye thellësisht nga ngecja në rrugën e integrimit edhe përskaj ndryshimeve të mëdha dhe historike që ndodhën në shtet. Çdo vit, kjo ndiesi e zhgënjimit sa vjen e shtohet, aq sa, shumica e atyre qytetarëve progresivë po fillojnë të bëhen neglizhentë ndaj kësaj çështje dhe dalëngadalë e humbin shpresën se vërtet do të ndryshojë diçka. Kur katër vite dhe gjithë ndryshimet historike nuk arrijnë të bindin BE-në në dhënien e një date për fillim të negociatave, çfarë mund të thuhet dhe çfarë mund të pritet për më tej mbetet një mister.

E megjithatë, rrugë tjetër përveç anëtarësimit në BE nuk ka, ose të paktën një rrugë tjetër nuk njohin ata që besojnë në vlerat evropiane. Kështu që, sërish, mbetet të shohim, çfarë do të ndodhë me pikturat sureale dhe me imazhet mashtruese, a do të fillojnë të bëhen realitet, ose jo.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button