Gjithnjë e më shumë kafshë shtëpiake përfundojnë në rrugë ndërsa pronarët e tyre rreziten në plazh

Me fillimin e sezonit të festave, gjithnjë e më shumë kafshë shtëpiake, qen dhe mace përfundojnë në rrugë. Pronarët i lënë sepse nuk mund t’i marrin me pushime dhe i lënë të vazhdojnë jetën duke u endur nëpër qytet. Aktivistët, të cilët ditë e natë përpiqen t’i shpëtojnë nga mizoria e stilit të jetesës si endacakë, bëjnë maksimumin dhe thonë se këtë vit, përveç braktisjes sezonale të kafshëve shtëpiake për pushime, një tjetër arsye pse kafshët qëndrojnë në rrugë është rritja e çmimeve. Edhe pse Ligji për Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Kafshëve parashikon gjoba nga 150 deri në 500 euro për lënien e kafshës shtëpiake, pronarët e papërgjegjshëm mbeten të pandëshkuar, shkruan Meta.mk.

Qemal Neziri, nga strehimorja për qenë “Hepi Shelter”, aktualisht kujdeset për 75 qen, mes të cilëve edhe të sëmurë, trajtimi i të cilëve kushton shumë shtrenjtë. Pasi ekipi i Shortcut e vizitoi atë në shkurt, atij iu desh edhe shumë herë të tjera të kërkonte ndihmë  nga njerëz humanë për të siguruar ushqim dhe trajtim për qentë.

“Pothuajse 90 për qind e qenve që janë lënë në rrugë këto ditë janë pikërisht për shkak se pronarët e tyre duan të shkojnë në pushime dhe të bëjnë banja plazh pa ndonjë brengë. Ndihma nevojitet tërë kohën, ka gjithnjë e më shumë qenë të braktisur, kurse pronarët që i kanë lënë nuk ndëshkohen. Duhet të ndëshkohen edhe ata të cilët nuk u vendojnë çipe kafshëve të tyre shtëpiake. Nga ana tjetër, qyteti paguan shuma të mëdha për kafshimet, në vend që ato para të ridrejtohen për parandalim, pra për të siguruar çati mbi kokë për secilin qen dhe për të rregulluar shtimin e  kafshëve me tredhje dhe sterilizim”, tha Neziri për Meta.mk.

Sipas tij, në këtë mënyrë, kur pronarët do të jenë të detyruar t’i
sterilizojnë, tredhin dhe t’u vendosin çipe kafshëve shtëpiake, ata do të regjistrohen dhe do të jetë shumë më e lehtë për të monitoruar se si kujdesen për kafshët e tyre, madje edhe për t’i ndëshkuar kur është e nevojshme. Neziri gjithashtu beson se puna dhe kapacitetet e Ndërmarrjes Publike Llajka nuk mjaftojnë për të pasur një qytet ku nuk do të ketë kafshë të pastreha.

“NP Laika i kap, i sterilizon dhe tredh qentë, por i kthen sërish në rrugë. Kështu, ato kafshë nuk janë nën kujdes të rregullt veterinar nga ekipet e angazhuara nga shteti. Gjithashtu NP Llajka nuk kap qen më të vegjël se 7 muajsh me shpjegimin se i përkasin grupit më të rrezikshëm të ndjeshmërisë ndaj sëmundjeve infektive virale dhe foshnjat e tilla të vogla i gjejmë çdo ditë nëpër kontejnerë dhe vende të ndryshme. Veç kësaj, megjithëse me tredhje dhe sterilizim ulet agresiviteti i qenve, ka nga ata që mbeten agresivë kur e mbrojnë territorin e tyre. Kafshët duhet të strehohen dhe ligji duhet të respektohet për të mirën e kafshëve dhe njerëzve. Problemi nuk zgjidhet si është vepruar deri tani. Tani, pronarët paralajmërohen dhe iu kthehet qeni”, tha Neziri.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe Maja Popovska nga strehimorja “Angelcats Sanctuary”, e cila ka më shumë se një dekadë që po i shpëton macet nga jeta mizore nëpër rrugët e Shkupit, dhe sikurse strehimorja Hepi Shelter, varet nga donacionet. Kështu vetëm muajin e kaluar ai arriti të organizojë sterilizimin e 73 maceve.

“Nuk kemi ndihmë nga qyteti. Çdo shtet normal ka ligj për kafshët shtëpiake që respektohet. Edhe këtu ka ligj, por nuk funksionon fare dhe askush nga qeveria nuk është i interesuar për këtë. Problemi me kafshët endacake është njeriu, pikërisht sepse i braktisin kafshët. I lënë në rrugë dhe ato mbarësohen, nëse nuk vdesin, çiftëzohen në mënyrë të pakontrolluar. Sterilizimi është term imagjinar për shumë njerëz”, tha Popovska për Meta.mk

Ajo shtoi se bisedat dhe shpjegimet e pafundme çojnë tek pronarët e maceve të cilët, të udhëhequr nga mendimi se macja duhet të lindë dhe të ndjejë mëmësinë, nuk janë të vetëdijshëm se nga një palë qen apo mace në vetëm pak vite mund të marrin mbi 10 mijë pasardhës prandaj krijojnë iluzioni se ata do të mund të kujdesen për të gjithë.

“Për të parandaluar këtë, sterilizimi duhet të jetë i detyrueshëm kur dikush dëshiron të bëhet pronar i ndonjë kafshe. Njerëzit duhet të angazhohen ligjërisht ndaj një dokumenti të nënshkruar që do t’i detyrojë ata t’i sterilizojnë macet dhe qentë e tyre, t’u vendosin çipe dhe t’i vaksinojnë rregullisht. Në rast se dikush dëshiron të mbarësojë macen apo qenin e tij në të ardhmen, atëherë duhet të regjistrojnë vende speciale për kultivim dhe të paguajnë taksa për këtë”, apelon Popovska.

Sipas saj, një zgjidhje tjetër e mundshme për tejkalimin e problemit me numrin e madh të kafshëve endacake është ndikimi që mund të kenë mjekët veteriner.

Veterinerët nuk duhet t’i pranojnë kafshët që nuk kanë çipe dhe duhet t’i sterilizojnë”, tha Popovska, duke shtuar se këto janë probleme që duhet të kenë plan afatgjatë sepse nuk mund të zgjidhen brenda natës.

Meri Jordanovska, gazetare dhe aktiviste për mbrojtjen e kafshëve, u bën thirrje të gjithë pronarëve të ardhshëm të kafshëve shtëpiake që të mendojnë shumë përpara se të vendosin të mbajnë ndonjë kafshë.

“Unë vazhdoj ta përsëris apelin se – duke adoptuar një kafshë shtëpiake nuk adoptoni një lodër. Është një anëtar i familjes gjatë gjithë jetës. Vendosja e çipit, sterilizimi dhe shumimi i kontrolluar (vetëm nga mbarështuesit) në mbarë botën janë dëshmuar se janë mjetet më efektive për të trajtuar problemin. Zgjidhjet e tjera janë brutale dhe mizore. Prandaj, le t’i përmbahemi së paku zgjidhjeve humane, të cilat nuk kushtojnë shumë dhe kontribuojnë në mirëqenien e kafshëve, por edhe për të mirën e njerëzve”, tha Jordanovska.

Në vend, siç tha Jordanovska, vetëdija dhe përgjegjësia për mbajtjen e kafshëve shtëpiake është e barabartë me zero, me përjashtime të ndershme që e dinë se mbajtja e kafshës shtëpiake është obligim, se kërkon sakrificë, por edhe mjete financiare. Dhe ajo dëshmon se gjithnjë e më shpesh, e sidomos në verë, gjatë pushimeve verore, kur disa njerëz përballen me pengesën e parë (çka të bëhet me kafshën shtëpiake kur jam me pushime?), vendosin ta fusin në makinë ta lënë mes të një autostrade ose në ndonjë fushë.

“Për këtë ka dëshmi të shumta në rrjetet sociale. Dhe jo vetëm kaq. Shohim këlysh të vegjël të ndarë nga nëna dhe të hedhur në mes të rrugës, sepse femra është mbarësuar, jemi dëshmitarë sesi në pengesën e parë në mbajtjen e një kafshe, njerëzit me gjakftohtësi heqin dorë, duke mos marrë parasysh se janë krijesat e gjalla që vuajnë. Dhe përtej kësaj, duhet të kuptojmë se për këto arsye numri i kafshëve të pastreha në vendin tonë po rritet dhe kjo prek si kafshëdashësit (shpenzojnë para, kohë, nerva për t’u kujdesur për to), ashtu edhe ata që nuk i duan kafshët.” (kanë frikë të ecin në rrugë etj.)”, tha Jordanovska.

Veterinerët e intervistuar nga Meta.mk besojnë se është detyrë e secilit prej tyre që pronarëve të rinj të kafshëve t’ua shpjegojnë përgjegjësinë dhe sfidat me të cilat do të përballen.

Mirëpo, theksojnë se për të zbatuar me sukses ligji, ka organe kompetente që duhet të bëjnë punën e tyre dhe të ndëshkojnë në përputhje me rrethanat, e ata nuk janë veterinerët.

Çdo vit në Shkup kafshohen nga qentë e rrugës mbi 600 qytetarë. Sipas të dhënave zyrtare të MPB-së, në vitin 2019 janë raportuar 618 raste, në vitin 2020 numri i kafshimeve ka qenë 647. Vitin e kaluar kanë raportuar 657 qytetarë. Nga fillimi i vitit deri më 15 prill, 157 qytetarë kanë paraqitur kallëzim për kafshim nga qeni.

Nga shërbimi komunal i Qytetit të Shkupit, në një bisedë për Meta.mk, thonë se mundohen të jenë të shpejtë në kapjen e qenve endacakë dhe se numri i tyre është dukshëm më i lartë në krahasim me periudhën para vitit 2021.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button