Alternativa ia kërkon mandatin Skender Rexhepit: E ke fituar në emër të partisë

Pas njoftimit të djeshëm të deputetit Skender Rexhepi se tash e tutje do të veprojë si deputet i pavarurën Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes kumtesës partia Alternativa, thekson se ky është vendim kryekëput personal dhe nuk ka të bëjë me asnjë qëndrim që lidhet me ndonjë organ ose strukturë partiake të Alternativës.

“Alternativa shfaq keqardhje për këtë vendim të deputetit Rexhepi dhe e njofton opinionin se ky vendim nuk ndikon me asgjë në grupin e deputetëve të Alternativës, as në lëkundjen e shumicës parlamentare, por as në pjesëmarrjen e Alternativës në  pushtetin ekzekutiv. Megjithëse është indikative që kjo tërheqje e tij vjen pikërisht në ditët kur opozita maqedonase organizon protestë për ta sulmuar shumicën parlamentare, kjo mbetet një pyetje që duhet ta sqarojë vetë ai. Meqë mandatet e deputetëve të kësaj përbërjeje parlamentare, rrjedhimisht edhe të Alternativës, janë fituar nën logon dhe emrin e partisë, e jo si kandidatura të pavarura, shpresojmë që deputeti Skender Rexhepi – në emër të moralit politik dhe detyrimit ndaj strukturave partiake që e kanë bërë deputet – ta kthejë mandatin e fituar në emër të partisë, për çka Alternativa do të jetë mirënjohëse dhe falënderuese për punën e deritanishme”, theksojnë nga partia.

Ndryshe, Alternativa të hënën i ka zgjedhur Kryesinë e partisë. Listën e emrave të kryesisë i ka propozuar kryetari i partisë, Afrim Gashi. Në listën e kryesisë, nuk ishte emri i Skender Rexhepit, i cili ka kritikuar qeverisjen e partisë së tij gjatë këtyre muajve.

Rexhepi mandatin e kaluar për herë të parë u bë deputet përmes listës nga Lëvizja Besa, ndërsa këtë mandat arriti të bëhet deputet përmes listës së koalicionit “Tash është Koha”, e përbërë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Deri në momentin e prishjes së këtij koalicioni në Kuvend, ai ushtronte funksionin e udhëheqësit të grupit parlamentar me 12 deputetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button