85,8% e ujërave të zeza industriale në RMV derdhen në natyrë të papastruara (Infografik)

Ujërat e shkarkuara nga industria në vend, në pjesën më të madhe derdhen të patrajtuara në lumenj, liqene dhe rezervuarë nëpër Maqedoni. Kjo e dhënë alarmante është publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikave edhe për vitin 2021. Nga totali i ujërave që vitin e kaluar i ka shkarkuar industria, janë trajtuar vetëm 14,2 për qind. Sasia tjetër prej 85,8 për qind e ujërave industriale janë shkarkuar pa trajtuar në natyrë, thuhet në Raportin “Përdorimi dhe mbrojtja e ujërave nga ndotja në industri, për vitin 2021”, shkruan Meta.mk.

Sasia e përgjithshme e ujit të cilën e ka përdorur industria në Maqedoni në vitin 2021 ishte 1.591 milionë metër kub, që krahasuar me vitin 2020 shënon rritje për 9,2 për qind. Përdoruesi më i madh i ujit është sektori i furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, ku nga 1.538 milionë metër kub ujë të përdorur, vitin e kaluar janë trajtuar vetëm 214 milionë metër kub.

Krahas energjisë që ka shfrytëzuar më së shumti nga potenciali ujor, më shqetësues është fakti që pjesa më e madhe e industrisë përpunuese në vend shfrytëzon ujëra që pa trajtuar derdhen në lumenj, liqene dhe rezervuarë. Nga 8 milionë metër kub ujë të përdorur nga këto impiante në vitin 2021, në natyrë janë lëshuar të trajtuar vetëm 3 milionë metër kub. Në sektorin e minierave dhe guroreve, nga 4 milionë metër kub ujë të përdorur, në natyrë u kthyen të trajtuar3 milionë.

Pasi janë përdorur nga industria, vitin e kaluar 85,8 për qind të ujërave janë derdhur në rrjedhat ujore, prej tyre 13,7 për qind janë derdhur në liqene, ndërsa pothuajse 0,5 për qind janë derdhur në lokacione të tjera.

Ka inspektime, por pak gjoba

Pyetëm Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit Jetësor (ISHMJ) se sa prej inspektimeve, si dhe dënimet e shqiptuara për ndotjen e ujërave kanë të bëjnë me objekte-kompani industriale si shkaktarë. Nga ISHMJ sqarojnë për Meta.mk se në përgjithësi për ndotjen e ujërave të gjithë ndotësit janë persona juridikë që kryejnë procese industriale në vend.

Vetë bashkitë kanë kompetencat e tyre për ndotjen e ujit, por Meta.mk tashmë ka shkruar se më shumë se gjysma e vetëqeverisjeve lokale në vend nuk kanë inspektorët e tyre mjedisor, kurse si rrjedhojë nuk e kontrollojnë ndotjen e ujit që ndodh në territorin e komunave të tyre.

Sipas Raportit për punën e ISHMJ-së për periudhën korrik-dhjetor 2021 janë realizuar gjithsej 1.171 kontrolle. Gjatë kësaj periudhe, Inspektorati ka vepruar sipas 10 ligjeve, ku janë kryer 234 inspektime në mbarë vendin për respektimin e Ligjit për ujërat. Raporti tregon se shumica e inspektimeve bëhen sipas këtij ligji, së bashku me Ligjin për Mjedisin Jetësor dhe Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave. Në gjashtë muajt e vitit të kaluar janë shqiptuar nëntë gjoba në vlerë të përgjithshme prej 380 mijë euro, ku përfshihen edhe gjobat për ndotësit e ujit.

Nga ISHMJ sqarojnë se në tre muajt e parë të vitit 2022 janë realizuar 590 inspektime të rregullta, kontrolluese dhe të jashtëzakonshme lidhur me zbatimin e të gjitha ligjeve, përfshirë edhe për ndotjen e ujit. Në pjesën e sanksioneve janë gjobitur tri magazina të lëndëve të para dytësore dhe tre persona fizikë, ndaj një autori të panjohur është ngritur kërkesë për kallëzim penal për zjarrvënie në kallamet e liqenit të Ohrit në afërsi të fshatit Kalishtë.

Në periudhën janar-mars 2022, Komisioni për Marrëveshje në Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për tri lëndë kundër Borov dol – Radovish, Buçim – Radovish dhe Bulmak – Radovish, mori vendime për tri gjoba në vlerë prej 70.000, 40.000 dhe 33.000 euro.

Në pjesën e sanksioneve, rasti i “Euro-Brick Company Veles” është para Komisionit për Marrëveshje, kurse bëhet fjalë për kundërvajtje të kategorisë së tretë, për të cilën mund të caktohet shuma maksimale prej 100 mijë euro. Ndërsa për NP “Ujësjellës Kanalizime” nga Shkupi dhe NP “Turija” nga Vasileva, urdhërpagesat për kundërvajtje janë përcaktuar nga ISHMJ.

Nga ISHMJ sqarojnë se për sanksionet e shqiptuara pagesa arkëtohet nga subjektet industriale me urdhërpagesa ose me vendime të Komisionit për Kundërvajtje ose Komisionit të Pajtimit pranë Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button