fbpx

Qeveria e shkeli afatin për të miratuar vendimin, nesër pritet të vendoset fati i Këshillit të Komunës së Tetovës (VIDEO)

Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka shkelur afatin kohor për miratimin e vendimit për (mos)shpërbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës në afat prej një muaji nga dita e marrjes së njoftimit (9 maj), për këtë shkelje nga atje heshtin. Ministria e Vetëqeverisjes Lokale për Portalb.mk tha se nesër pritet që kjo të jetë në rend të ditës në seancën e Qeverisë.

Nga Qeveria edhe pse të pyetur, nuk u përgjigjën se pse nuk është vendosur ende për këtë shkelje të afatit kohor (Ligji për Vetëqeverisje Lokale, neni 75, paragrafi 2). Thanë vetëm se rasti është në procedurë qeveritare pa dhënë ndonjë afat konkret.

“Menjëherë pas përfundimit të procedurave të nevojshme dhe konkluzave apo vendimeve të miratuara, opinioni do të informohet në kohën e duhur”, thanë nga Qeveria.

Por ndryshe thonë nga Ministra e Vetëqeverisjes Lokale, nga atje thanë se nesër pritet që Qeveria të vendos për fatin e Këshillit të Komunës së Tetovës.

“Informacioni për Tetovën sot është në rendin e ditës të Komisionit për Sistemin Politik dhe pritet të jetë nesër në seancën e Qeverisë”, thanë nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.

Rikujtojmë që ditë më parë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se janë në pritje të përgjigjes nga institucionet e ekzekutivit.

“Mund të them se nëse Qeveria në afat prej një muaji sipas ligjit nuk sjell vendim, atëherë do të konsultohemi me të gjitha grupet e këshilltarëve që këshilli të vazhdojë me punë”, tha Bilall Kasami.

Çfarë ka ndodhur dhe çka më tutje? 

Këshilli i Komunës së Tetovës rrezikon të shpërbëhet dhe si pasojë të organizohen zgjedhje të reja për këshill komunal, pasi këshilli nuk e ka miratuar llogarinë përfundimtare të buxhetit të komunës për vitin e kaluar (2021) deri me 31 mars të këtij viti ashtu siç e parasheh Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Kryetari i Komunës së Tetovës e ka shkelur nenin 33 të  Ligjit për financim të pushtetit lokal, pasi nuk e ka dorëzuar projektligjin vjetor për miratim në Këshillin e Komunës, më së voni deri më 28 shkurt. Nga ku më pas Këshilli është dashur ta miratojë llogarinë vjetore për vitin paraprak më së voni deri më 15 mars dhe të ia dorëzojë Ministrisë së Financave më së voni deri më 31 mars të këtij viti.

Pika e miratimit të llogarisë përfundimtare të Buxhetit të Komunës së Tetovës për vitin 2021, në vend se të mbahet më 31 mars, kur ishte afati i fundit ligjor, atë ditë vetëm u lajmërua se kjo pikë së pari herë në rend dite do të jetë në seancën e nëntë e cila u mbajt me 7 prill 2021. Në këtë datë, pika nuk u miratua në këshill pasi këshilltarët kërkuan sqarime shtesë për të. Në seancën e fundit, të dhjetën, me  27 prill, seanca dështoi, andaj dhe kjo pikë sërish nuk arriti të miratohet.

Për rastin në fjalë, sipas dispozitave ligjore, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale me 5 maj e ka pranuar njoftimin nga Komuna e Tetovës për plotësimin e kushtit për shpërbërje të Këshillit Komunal.

MVL, më 9 maj na informoi se kanë paraqitur propozim Qeverisë së RMV-së për shpërbërje të këtij këshilli.

Qeveria, në afat prej një muaj nga dita e pranimit të propozimit duhet të sjell vendim për shpërndarjen e këshillit sipas fuqisë ligjore. Afati që Qeveria të sjell vendim për shpërbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës ishte deri me 6 qershor (nëse e llogaritim 4 javë) apo 9 qershor (nëse llogaritet një muaj fiks nga nata e pranimit), dhe të njëjtin ta publikojë në Gazetën Zyrtare. Por Qeveria deri në këto data nuk ka sjellë vendim.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) tha se sipas nenit 16 dhe 159 të Kodit Zgjedhor, zgjedhjet e mundshme të parakohshme për Këshillin e Komunës së Tetovës shpallen pas plotësimit të kushteve të përcaktuara me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Rrjedhja e këtij procesi varret nga ajo se çfarë do të vendos Qeveria nesër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button