fbpx

MBI ARMIQTË E VETVETES

Janë të shumtë veprimtarët e shquar të çështjes shqiptare që shkuan syhapur në botën e përtejme për shkak të zhgënjimeve të thella të përjetuara pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur prisnin shijimin e frutave të sakrificave mbinjerëzore të bijve më të mirë të kombit.  Më të zhgënjyer qenë Rilindësit, të cilëve nuk u kishte shkuar kurrë mendja se pas 28 Nëntorit të 1912-ës, një armatë e tërë mercenarësh do të mohojnë paturpësisht kush-jamin dhe do të rrokin kazmat për të hapur varrin e idealeve shekullore.

Këtë tmerr më së miri e portretoi Gjergj Fishta në poezinë 28 Nanduer 1913:

Oj Zanë, t’këndojm… t’vajtojm, deshta me thanë;
Pse sot ditë kangët s’asht për mue e tye.
Po ç’gzim kjo ditë ne mundet me na dhanë,
Kur, qe; mbas nji motmoti q’iu pëlqye
Europës shqiptarin zot n’shpi t’vet me lanë
E kujt pos Hyut, n’këtë jetë mos me i shërbye,
Shqiptari i ndam’ prap me vedvedi gjindet
E shk’asht ma zi, prej vedit edhe s’bindet… 

 

Flamuri kombtar nuk ka ç’ka ban nder ne,
Po kje se dashtni nuk kem’ për Atdhe!
E, drue dashtni për Atdhe nuk ka shqiptari;
Me gjasë, s’çan krye shqiptari për komb t’vet,
As për at gjuhë të ambël qi i la i Pari,
As pse Shqipnia n’vedi u ba sot shtet;
Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari
Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget,

Si Krishtin shiti Juda Iskarjot,
Drue Atdheu ndër ne po shitet për një zallotë…

Dhembje dhe zemërim për Atdheun e shfytyruar nga zuzarët ndjeu dhe liriku i madh Lasgush Poradeci:

…pa zë çbëhet ç’u pat bërë, ç’u godit zë shkatërrohet.

Ç’u ndërtua brez pas brezi, bje greminë më një ças…

Tek konstatimi se shqiptarët janë unikë vetëm kur gjenden nën thundrat e tjetrit, ndërkaq, posa heqin prangat e huaja përçahen për shkaqe idiote në vija krahinore, dialektore e fetare, erdhën edhe njohësit e huaj të vakive tona të pangjashme me vakitë e të tjerëve. Fatkeqësisht, vargjet/ shkrimet e ngjashme si të mësipërmet në shumë pika i shkojnë edhe kohës sonë, pavarësisht të dhënës se prej vitesh është pavarësuar edhe Kosova. Dëshminë për mjerimin në fjalë e gjejmë para së gjithash në katandisjen e raporteve ndërmjet parësive të papërgjegjshme të dy shteteve shqiptare, që nuk dinë ose nuk duan t’i gjejnë mekanizmat e përafrimit brendashqiptar në një kohë kur bota gjendet në pragun e një lufte përmasash të papara ndonjëherë; në rrethanat kur edhe të bashkuar do ta kishim me pikëpyetje të ardhmen e lënë në duart e të tjerëve, e lëre më kështu të kacagjelusur si mos më keq.

Si të shpjegohet e dhëna se kryeministri i shtetit shqiptar ia kthen shpinën gjysmës së kombit dhe bën birllëk me pinjollin e Kasapit të Ballkanit, i cili vetëm pak ditë më parë u betua se do ta mbrojë me çdo kusht e me çdo mjet tërësinë territoriale të shtetit të tij, pjesë të të cilit vazhdon ta konsiderojë edhe Kosovën e djegur kush e di sa herë në mënyrat më barbare të mundshme? A është e mundur që parësia shqiptare të mos e ketë të qartë se Ballkani i hapur është profkë e jatakut të vetëm evropian të fashistëve rusë të Putinit, të shpallur kriminelë nga gjithë bota e qytetëruar? Ç’emër t’i vëmë përpjekjes së kryeministrit Rama për ta prezantuar si burrështetas vizionar një kriminel lufte që ulërinte para paramilitarëve serbë dhe kërkonte të vrasin 100 boshnjakë për vrasjen e një serbi, tamam si dikur Hitleri? Përse gjithë ky zell për zbukurimin e imazhit të një luftënxitësi të pangopshëm me gjak fqinjësh; të një tinëzari që ka vetëm një synim: ta bëjë realitet ëndrrën e moçme serbo-ruse për një port detar e për një dalje në ujërat e ngrohtë të Adriatikut…; të një hasmi, që siç thoshte Konica: S’ka gjë tjetër për të luftuar shqiptarët përveçse gënjeshtrat, që guxojnë t’i thonë Shqipërisë Veri-Lindëse Serbi e Vjetër –  atij vendi ku ndodhet Peja, Prizreni, Gjakova – zemra e Shqipërisë. Po sikur të kishim mend, do të muntnim me të drejtë ne t’i thoshim Serbisë së Poshtme – ku ndodhen Vranja, Leskoci, Nishi – Shqipëria e Vjetër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button