Shkup, me performancë dhe punëtori fëmijëve iu përshkruan dëmet nga ndërtimi i hidrocentraleve të vogla

“Fludo u përvodh në anën tjetër, nga diga e madhe dhe e errët dhe filloi të humbasë ngjyrën nga errësira, filloi t’i vinte ftohtë, filloi të thirrte dhe t’i lusë të gjitha ujërat dhe zanat e ujit, të gjitha barishtet e luhatshme, të gjitha kafshëzat, rrymat e ujit, ta bënin një çarje në digën e gurit dhe ashklat e hekurit. Fludo filloi të bërtasë me të gjitha forcat, të mblidhen të gjithë ata që e duan ujin”, është pjesë e rrëfimit të performancës multimediale për fëmijë “Fludo”, e cila u shfaq mbrëmë në Qendrën Kulturore Rinore (QKR) në Shkup, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Uji ka nevojë për ne, ka nevojë për shpëtim!”, ishte mesazhi i teatrit “Hijet dhe retë” nga Shkupi me shfaqjen që u realizua në kuadër të edicionit të nëntë të Festivalit të Teatrit të Hijeve – Ëndrra e Resë. Krahas performancës, mbrëmë në QKR u mbajt edhe punëtoria për fëmijë dhe ekspozita me temë “Lumenjtë e robëruar”.

Aktivitetet falas u ndoqën nga një numër i madh fëmijësh me prindërit, të cilët me vëmendje të veçantë e ndoqën shfaqjen me hije. Performanca multimediale para publikut më të ri tregoi jetën e fantazmës Fludo, fantazmë e ujit, që me miqtë nga bota nënujore do të kapet nga dora e njeriut me ndërtimin e një hidrocentrali.

Foto: Meta.mk
Foto: Meta.mk

Historia u tregua me një teknikë interesante me shumë ujë, ngjyrë dhe vaj në pëlhurë, ndërsa performanca është bazuar në tekstin e D. А. Lori.

“Ishin uji dhe lumenjtë e bllokuar që frymëzuan këtë performancë. Nëpërmjet lindjesa e fantazmës Fludo dhe lojës së kafshëve të egra në lumë, e deri te shkatërrimi i gjithë biodiversitetit nëpërmjet instalimit të hidrocentraleve të vogla, thonë STOP ndërtimit dhe shkatërrimit të lumenjve. Kjo shfaqje është në bashkëpunim me Eko-vetëdija dhe do të shfaqet në disa vende në mbarë vendin”, na sqaruan nga teatri “Hijet dhe Retë”.

Foto: Meta.mk
Foto: Meta.mk

Performanca dhe punëtoria u krijuan si pjesë e fushatës për mbrojtjen e lumenjve nga ndërtimi i hidrocentraleve të vogla, financuar nga Euronatur. Punëtoria u drejtua nga artisti Dorotej Neshoski dhe për herë të parë në vendin tonë fëmijët patën mundësinë të shohin një performancë të punuar me një teknikë specifike, e cila në vitet ’60 në New York u bë një hit i vërtetë. Përzierja e ujit dhe vajit dhe lëvizja e tyre e projektuar përmes një grafoskopi solli ndjesinë e një bote nënujore.

“Uji si personazh në letërsi dhe art në përgjithësi, për fat të keq shpesh trajtohet si i kudondodhur, është këtu për ne, njerëzimi e ka në dispozicion në tërësinë e tij. Ne kemi të drejtë mbi të dhe si rrjedhojë, rrallë e imagjinojmë se nga vjen, sa i fuqishëm është dhe çfarë nëse thahet ndonjëherë? Kjo është pikërisht pyetja që duam fëmijët tanë t’ia bëjnë vetes. A është uji në liri, a është e lumtur natyra përreth dhe sa jemi ne “fajtor” për atë. Me këtë performancë unike të lëngshme i dhamë jetë shpirtit Fludo, shpirtit të ujit që me ndihmën e të gjitha fuqive natyrore pikë-pikë ia arrin ta shembë digën”, thonë për Meta.mk nga teatri “Hijet dhe Retë”.

Ansambli i teatrit është edhe organizator i Festivalit Ndërkombëtar për Fëmijë të teatrit të hijeve “Ëndrra e Resë”, i cili këtë javë pati edicionin e nëntë dhe i cili do të mbyllet sonte me shfaqjen “Sa është ora” interpretuar nga teatri “Hijet dhe Retë“, dhe manifestimi “Buzëqeshjet e fëmijëve, një kilogram gabime” të fëmijëve të çerdhes “13 Nëntori” nga Shkupi.

Teatro nga Italia, Serbia dhe Maqedonia mbushën edhe një herë skenën “Frosina” në QKR. Përveç shfaqjeve, fëmijët patën mundësinë të ndjekin edhe dy punëtori pa pagesë, njëra e drejtuar nga i ftuari nga Turqia, Cemal Fatih Polat, me të cilën fëmijët kishin mundësinë të njihen me Teatrin Karagoz, gjegjësisht me punimin e kukullave sipas metodave tradicionale të vjetra 650 vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button