fbpx

Rasti “Via Komerc”: Si mundet ligjërisht të mos punosh ligjërisht (VIDEO)

Kaloi një muaj që kur Prokuroria për luftë kundër krimit të organizuar hyri në Ministrinë e Punëve të Brendshme në kërkim të përgjigjeve – se përse kompania për kontroll teknik të automjeteve, VIA Komerc, është dashur të jetë mbyllur që në gusht, por kjo nuk ka ndodhur, shkruan 360 Gradë, njofton Portalb.

Në VIA Komerc, pikërisht në periudhën kur nuk është dashur të punojë, kontrollin teknik e ka kaluar autobusi i “Besa Trans”-it, i cili u dogj në Bullgari.

“Një pjesë e dokumentacionit është konfiskuar nga reparti i trafikut, ndërsa pjesa tjetër nga reparti për çështje administrative, të cilët e kanë përgatitur vendimin për mbylljen e stacionit të kontrollit teknik”, tha për Telma, prokurorja Vilma Ruskovska më 5 maj 2022.

Për VIA Komerc, “360 gradë” ka shkruar që vitin e kaluar, para Vitit të Ri, ndërsa rastin atëherë e hetonte Prokuroria e Shkupit. Me dokumente treguam se inspektorët e MPB-së kanë propozuar mbylljen e VIA KOMERC që në gusht të vitit 2021 për shkak të një sërë mangësish të konstatuara, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme e ka bërë këtë madje në nëntor, tre ditë pas tragjedisë së autobusit në Bullgari në të cilin e humbën jetën 46 udhëtarë.

“Përgjigja ime është se momentalisht ka hetim që po zhvillohet dhe do t’i japë rezultatet”, tha Spasovski më 9 maj të këtij viti.

“360 gradë” kontrolloi – çfarë ka të re rreth këtij rasti?

Dyert e hapura, punëtorë, klientë që kanë ardhur për të bërë kontrollin teknik të automjeteve. Objekti i “Via Komerc”, të cilin njeriu i parë i policisë nuk e mbylli në kohë vitin e kaluar, sot funksionon normalisht.

Gjatë vizitave tona të mëparshme, në dhjetor dhe në janar, objekti ishte i mbyllur, për shkak se tre ditë pas aksidentit në Bullgari, VIA Komerc mori ndalesë për punë deri në mënjanim të mangësive, që duhej të ndodhë që në gusht.

Ajo që stacioni për momentin është i hapur fillimisht na shtyri të konkludojmë se kompania i ka mënjanuar mangësitë e zbuluara nga inspektorët e MPB-së. Por, ky konkluzion shpejtë doli të ishte i rrejshëm dhe u shfaq një “vrimë” e re.

Në objektet e njëjta ku funksiononte “Via Komerc”, tani punon një subjekt tjetër juridik me emër të ngjashëm – “Via Kontrol”. Pronari i kompanisë së mëparshme, Xhemal Nuishi, në kompaninë e re paraqitet si drejtues. “Via kontrol” është themeluar më 17 janar të këtij viti, pas skadimit të afatit në të cilin kompania paraprake “Via komerc” duhej t’i mënjanojë  mangësitë që të vazhdojë me punë.

Si është e mundur – një kompani e re të vazhdojë në vendin e vjetër “problematik” dhe me të njëjtin aktivitet –  fillimisht pyetëm në MPB.

Tingëllon mahnitëse, por është e vërtetë. Via Komerc nuk i mënjanoi kurrë mangësitë dhe MPB ia hoqi përgjithmonë licencën. Vetëm pak ditë më vonë – një kompani e re, Via Control, merr licencë “të pastër” për të punuar në të njëjtin objekt.

Nga MPB thonë se gjithçka është në përputhje me ligjin dhe se ata vetë kanë kërkuar ndryshime ligjore që nuk do të lejojnë një kompani të re të marrë licencë për kontroll teknik të automjeteve në një objekt që është përdorur nga një kompani që e e ka humbi licencën në 3 vitet e fundit.

Ky nen i ligjit, thonë ata, “ka dështuar” në Gjykatën Kushtetuese.

“Sipas asaj që u tha më lart, nuk ka asnjë pengesë ligjore që personi i ri juridik Kompania për tregti dhe shërbime VIA Kontrol SHPKNJP import-eksport nga Shkupi të marrë autorizim për të kryer veprimtari në të njëjtin objekt nëse i plotëson kushtet e parapara me ligj”, thonë nga MPB.

Menaxheri i kompanisë së re, Xhemal Nuishi, nuk iu përgjigj pyetjeve tona – pse u krijua një kompani e re – “Via Kontrol” në vend që të eliminonte mangësitë e asaj të mëparshmes. Ai nuk ka komentuar as nëse në këtë mënyrë po manipulohet sistemi.

Iu drejtuam edhe prokurorisë, ku nuk kanë treguar më shumë detaje se sa tha Ruskovska një muaj më parë. Qëndrimi i vjetër i Spasovskit për pyetjen – pse kishte pritur me nënshkrim?

“Prandaj Prokuroria ka hapur hetim dhe do të japë rezultatet. Përgjigja ime është se aktualisht ka një hetim në vazhdim dhe do të japë rezultate.

– A ndjeni përgjegjësi?

Këtë do ta tregojnë institucionet që po e hetojnë këtë çështje”, tha Spasovski në një konferencë për media më 9 maj.

Të njëjtat rrethana para Vitit të Ri janë hetuar edhe nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup. Ata formuan lëndë pas aksidentit në Bullgari për kompaninë “Besa Trans” dhe veprimet e institucioneve kompetente.
Edhe ai rast është ende në fazën e punës.

“Është siguruar dokumentacion i gjerë material i cili analizohet dhe janë dëgjuar më tepër persona për të vërtetuar faktet. Nëse konstatohet se në këtë pjesë është kryer vepër penale, Prokuroria Publike do të veprojë në përputhje me kompetencat e saj dhe do të ndërmarrë ndjekje penale”, thonë nga prokuroria e Shkupit.

“Via Komerc” u bë e njohur për shumicën e opinionit pas aksidentit në Bullgari, kur Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, informoi se aty është bërë kontrolli i fundit teknik i autobusit dhe se gjatë kontrollit nuk ishin konstatuar lëshime.

Në të njëjtën ditë kur e mbajti këtë konferencë për media, pa e informuar opinionin, Spasovski mori vendim për ndalim të përkohshëm të punës të të njëjtit stacion.

Arsyet e konstatuara disa muaj më parë ishin të shumështrsore – që nga fakti që në stacion nuk mbahen regjistrat e nevojshëm të automjeteve që janë kontrolluar teknikisht, deri te fakti se në kontroll kanë marrë pjesë persona joekspertë.

“Në këtë mënyrë mundësohet që në komunikacionin rrugor të marrin pjesë automjete me defekte teknike, gjegjësisht mjete të cilat mund të paraqesin rrezik për sigurinë e trafikut rrugor”, thuhet në vendimin për ndalim të përkohshëm të punës.

“360 gradë” zbuloi se këto lëshime janë konstatuar shumë më përpara se stacionit t’i vihet çelësi. Mbikëqyrja, në fakt, është realizuar që në gusht, ndërsa më 25 të njëjtin muaj, shërbimet kompetente të MPB-së kanë përgatitur propozim-vendim për ndalesë për punë të stacionit.

Por, Spasovski nuk e ka nënshkruar vendimin, kështu që stacioni për kontroll teknik ka vazhduar me punë. Ndërkohë, më 5 tetor në stacion kontrollin teknik e ka kaluar edhe autobusi i “Besa trans”-it i cili u dogj në Bullgari më 23 nëntor.

Për kohën dhe rrethanat në të cilat u mbyll stacioni për kontroll teknik “Via Komerc”, fillimisht publikuam nga fundi i dhjetorit të vitit të kaluar. Që atëherë e deri tani, nga MPB-ja nuk kemi marrë përgjigje konkrete përse vendimi për ndalesë të përkohshme për punë të stacionit tre muaj e gjysmë është ruajtur në sirtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button