Banka Botërore këtë vit parashikon rritje të ekonomisë së Maqedonisë prej 2,7 për qind

Banka Botërore parashikon rritje të prodhimit të brendshëm bruto të Maqedonisë së Veriut prej 2,7 për qind këtë vit dhe 3,1 për qind vitin e ardhshëm, transmeton Portalb.mk.

Në raportin e qershorit për perspektivën ekonomike globale, Banka Botërore uli parashikimet e mëparshme ekonomike për vendin, këtë vit me 1,0 për qind dhe për vitin 2023 me 0,3 për qind.

Rritja ekonomike në vitin 2024, sipas parashikimeve të BB-së, do të arrijë në 3.2 për qind.

Nga ana tjetër, parashikimi për rritjen globale për vitin 2022 është ulur me gati një të tretën, në 2.9 për qind. Arsyet kryesore për këtë janë sulmi rus ndaj Ukrainës dhe dëmet e shkaktuara nga pandemia Covid-19, të cilat kanë kontribuar që shumë vende tani të përballen me recesion.

Lufta në Ukrainë ka ngadalësuar ekonominë globale, e cila tani po hyn në një periudhë të rritjes së dobët dhe inflacionit në rritje, me mundësinë e përkeqësimit të mëtejshëm.

Presidenti i Bankës Botërore, David Malpas, ka paralajmëruar se rritja globale mund të bjerë në 2.1 për qind këtë vit dhe në vetëm 1.5 për qind në vitin 2023.

Malpas tha se rritja globale u pengua nga lufta, masat e reja të kovid-mbylljes në Kinë, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe rreziku në rritje i stagflacionit, gjegjësisht periudhës së rritjes së dobët dhe inflacionit të lartë, e cila për herë të parë është vërejtur në vitet 70-ta të shekullit të kaluar.

“Sot ka një rrezik të lartë të stagflacionit. Rritja e ngadaltë me gjasë do të zgjasë një dekadë për shkak të investimeve të dobëta në pjesën më të madhe të botës. Duke pasur parasysh se inflacioni tani është në nivelin më të lartë prej dekadash në shumë vende dhe oferta pritet të rritet ngadalë, ekziston rreziku që inflacioni të mbetet i lartë për një periudhë më të gjatë”, tha Malpas.

Banka Botërore parashikon se ritmi i rritjes globale midis 2021 dhe 2024 do të ngadalësohet me 2.7 pikë përqindjeje, më shumë se dyfishi i ngadalësimit të parë midis 1976 dhe 1979.

Në raport, gjithashtu, parashikohet se rritja e normave të interesit për të vënë nën kontroll inflacionin në fund të viteve 1970 ishte aq e madhe sa shkaktuan një recesion global në vitin 1982 dhe një seri krizash financiare në tregjet dhe ekonomitë në zhvillim.

Ekziston rrezik real që një shtrëngim i kushteve financiare më shpejt se sa pritej mund të shtyjë disa vende në krizë borxhi siç ishte në vitet 1980, paralajmëron Banka Botërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button