Macron i gatshëm për takim me Shkupin dhe Sofjen kur të vijë koha

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se kur të vijë koha, ai është i gatshëm të takojë autoritetet e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në Paris, për të përfunduar marrëveshjet dypalëshe që do të lejojë fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

Pas bisedimeve me presidentin bullgar Rumen Radev dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pallati Elysee kujtoi se Franca, e cila mban presidencën e BE-së deri më 1 korrik, prej disa javësh po mbështet kërkimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjes mes dy vendeve. 

Gjatë bisedimeve, presidenti francez shprehu mbështetjen e tij të plotë për një marrëveshje ndërmjet dy vendeve, e cila do të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe konsolidimin e perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut, si dhe respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve që pretendojnë se i përkasin komuniteteve të tjera apo të pakicave.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje tha se Franca si kryesuese e BE-së i lehtëson bisedimet ndërmjet dy palëve, por se në tryezë nuk ka propozim konkret për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes.

“Në kuadër të kompetencave dhe ingerencave të tyre, ato ndihmojnë në lehtësimin e bisedimeve ndërmjet Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, por në tavolinë nuk ka asnjë propozim konkret që do të thoshte se: “ky është propozimi”, sepse megjithatë duhet që ne të gjejmë zgjidhje si fqinj, që do të jetë me të vërtetë bazë që të mund të ndërtojmë marrdhënie të mira fqinjësore dhe të jetë baza për mbajtjen e konferencës së parë ndërkombëtare për vendin tonë me BE-në”, tha kryeministri.

Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, në një paraqitje në “Tv Sitel” konfirmoi se nuk ka propozim konkret francez, por tha se ka një përkushtim të madh nga presidenca franceze dhe interes personal nga presidenti i Francës Emanuel Macron. Siç theksoi edhe vetë, Franca në këtë periudhë po mundohet të testojë disponimin e të gjitha vendeve anëtare, duke pasur një qëndrim të qartë në proces.

Megjithatë, ai theksoi se nuk i lëmë asgjë rastësisë dhe informojmë çdo ditë presidencën franceze për qëndrimet, rreziqet, variantet dhe mundësitë.

“Nuk ka ende propozim nga presidenca franceze që të japë ndonjë udhëzim nëse diçka mund të jetë në fushën e të drejtave të njeriut, si kusht në kuadrin e negociatave. Ne po bëjmë maksimumin që mundemi nga ana jonë, por kjo nuk varet vetëm nga ne”, shprehet osmani Osmani.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button