BE pretendon se Rusia është drejtpërdrejt përgjegjëse për mungesën e plotë të grurit

Për shkak të luftës kundër Ukrainës, Rusia është “drejtpërdrejt përgjegjëse” për mungesat në tregtinë ndërkombëtare të grurit, tha të dielën përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Bllokada e vazhdueshme e Rusisë ndaj porteve ukrainase pengon eksportin e tonelatave të drithërave, si misri dhe gruri, të cilat aktualisht janë bllokuar në Ukrainë, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë”, tha Borrell në Twitter.

Ai potencoi se sanksionet e BE-së synojnë kapacitetin e Rusisë për të vazhduar luftën, dhe jo grurin, duke shtuar se produktet bujqësore dhe transporti i tyre janë “përjashtuar në mënyrë eksplicite” nga sanksionet.

“Rusia është drejtpërdrejt përgjegjëse për të gjitha mungesat në tregtinë ndërkombëtare të grurit dhe në vend që të ndalojë agresionin e saj, ajo po përpiqet në mënyrë aktive të zhvendosë përgjegjësinë te sanksionet ndërkombëtare. Ky është dezinformim”, shtoi Borrell.

Shefi i diplomacisë evropiane vuri në dukje se blloku do të vazhdojë të tregojë solidaritet me vendet në zgjidhjen e pasojave të luftës.

“Presidenti rus, Vladimir Putin duhet t’i japë fund luftës së tij kundër Ukrainës. Integriteti territorial i Ukrainës duhet të rivendoset”, tha Borrell, duke shtuar se kjo është në interes të të gjithë botës.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 4.183 civilë janë vrarë dhe 5.014 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës me Rusinë ndërsa numri real besohet të jetë shumë më i lartë.

Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, ndërsa më shumë se 7.7 milionë janë zhvendosur brenda vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button