RMV, sindikata paralajmëroi grevë të përgjithshme nga 22 qershori nëse qeveria deri atëherë nuk i plotëson kërkesat e tyre

Nëse deri më 22 qershor nuk plotësohet kërkesa për rritje lineare të pagave deri në 2.806 denarë në sektorin publik, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) njoftoi se kudo që ka sindikata të organizuara në sektorin publik, gjegjësisht ushtria, policia, arsimi, shëndetësia, ndërmarrjet komunale, udhëheqësitë, administrata do të hyjnë në grevë të përgjithshme duke e ndërprerë punën në vendin e punës, raporton 360shkallë, përcjell Portalb.mk.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot njoftoi se nga 22 qershori do të hyjë në grevë të përgjithshme kudo që ka organizim në sektorin publik nëse deri atëherë, gjegjësisht deri më 21 qershor, Qeveria nuk i plotëson kërkesat e tyre.

Këtë e bëri të ditur në konferencën e sotme për media, njeriu i parë i LSM-së, Darko Dimovski, i cili edhe një herë i përsëriti kërkesat e tyre, që janë nënshkrimi i marrëveshjes së përgjithshme kolektive me të cilën do të përcaktohet rritje lineare e pagave prej 2 806 denarë për të gjithë punëtorët në sektorin publik dhe, siç shtoi ai, rivendosjen e së drejtës së humbur për regres nga viti 2023, në lartësi prej 30 deri në 100 për qind të pagës mesatare në vend.

“Nëse kjo nuk ndodh deri më 21 qershor, më 22 qershor, LSM, atje ku ka organizim sindikalist, do t’u bëjë thirrje të gjithë punëtorëve anëtarë, por edhe të gjithë punëtorëve të tjerë të pakënaqur që të ndalojnë proceset në vendet e tyre të punës dhe të shprehin një pakënaqësi të madhe ose, siç themi ne, një grevë të përgjithshme të madhe”, ka thënë Dimovski.

Vendimi për grevë të përgjithshme vjen pasi përfaqësuesit e LSM-së dje kanë pasur një takim me përfaqësuesit e qeverisë, por nuk arritën marrëveshje për kërkesat e tyre. Nga Qeveria, siç tha kryetari i LSM-së, nuk thonë asgjë rreth kërkesës për rritje lineare të pagave prej 2.806 denarë, të cilën, siç shtoi ai, e kanë propozuar vetë.

“Ministri Besimi nuk e ka paraparë këtë në rebalancin e buxhetit, ndërsa ata vetë na bindnin se do të ndodhë me rebalancin e buxhetit dhe me ligjin për ekzekutimin e buxhetit sepse ato mjete janë të destinuara për pagat e punëtorëve”, ka thënë Dimovski.

Ai i bëri thirrje qeverisë që të pranojë kërkesën e tyre për rritje lineare të pagave dhe shtoi se nuk bëhet fjalë për shumë të madhe parash dhe se ajo është e nevojshme, siç tha ai, për amortizimin e goditjeve të çmimeve dhe inflacionit dyshifror.

Ndryshe, nga 22 qershori, siç tha Dimovski, kudo që ka organizim sindikalist në sektorin publik, gjegjësisht ushtria, policia, arsimi, shëndetësia, ndërmarrjet publike komunale, administrata do të dalin në grevë të përgjithshme duke ndërprerë punën në vendin e punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button