OJQ-të kërkojnë zbatim më të mirë të Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor

Mbi 150 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, institucioneve dhe përfaqësues të zonave të mbrojtura, përmes një deklarate të përbashkët të miratuar në Konferencën Ndërkombëtare Parqet Dinarike, kërkuan zbatim më të mirë të Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor. Deklarata i është dërguar edhe Komisionit Evropian, duke kërkuar që BE-ja të sigurojë pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, transparente dhe substanciale të sektorit të shoqërisë civile në planet dhe projektet për zbatimin e Agjendës së Gjelbër, njofton Meta.mk.

Ndërkohë që në Evropë po mbahet Java e Gjelbër, ku temë kryesore është Agjenda e Gjelbër, pjesëmarrësit në konferencën e organizuar nga Parqet Dinarike dhe Organizata Botërore e Mbrojtjes së Natyrës – WWF Adria, të cilën në vendin tonë e përfaqëson organizata e shoqërisë civile Eko-Vetëdija (Eko-Svest), pajtohen se Agjenda e Gjelbër ofron mundësi të mëdha, ndërsa financimi i qëndrueshëm i zonave të mbrojtura në rajon edhe më tej mbetet sfidë.

“I bëjmë thirrje Komisionit Evropian që mos t’i lërë jashtë pjesëmarrësit kryesorë në këtë proces, të cilët mund të sigurojnë që zonat e mbrojtura të mos mbeten vetëm në letër,” tha Drejtoresha Ekzekutive e WWF Adria, Natasha Kallauz.

Pjesëmarrësit në Konferencën Rajonale pa ekuivok e theksuan nevojën për bashkëpunim ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe menaxherëve të zonave të mbrojtura. Kjo konferencë konfirmoi se rrjeti rajonal i Parqeve Dinarike është platformë e mirë për lidhjen e të gjitha parqeve në rajon, që ndajnë shembuj të mirë dhe planifikojnë projekte të përbashkëta. Parqet Dinarike janë një rrjet prej më shumë se 100 zonave të mbrojtura në Serbi, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Kroaci, Maqedoninë e Veriut dhe Slloveni.

“Menaxherët theksuan se duan të përfshihen më aktivisht në proceset e tranzicionit të gjelbër në Ballkanin Perëndimor, gjë që do të rezultojë me zona të mbrojtura të qëndrueshme dhe më funksionale në rajonin tonë”, tha Zoran Mrdak, president i Parqeve Dinarike.

Konferenca përfundoi me një panel mbi rolin e gruas në ruajtjen e natyrës, ku përfaqësues të shoqërisë civile, menaxherë dhe politikanë folën për sfidat dhe përvojat në punën e tyre. Në konferencë morën pjesë 150 pjesëmarrës, duke përfshirë përfaqësues të 70 zonave të mbrojtura dhe rreth 50 organizata të shoqërisë civile nga Shqipëria, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, si dhe përfaqësues të ministrive dhe institucioneve kompetente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button