Tetovë, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, u promvua libri “Të drejtat e fëmijëve: Sfidat dhe perspektivat e reja”

Pesë profesoresha universitare nga Fakulteti Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore, sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve promovuan librin e tyre më të ri për të drejtat e këtyre të fundit, për Portalb.mk ata tregojnë më shumë rreth librit.

“Të drejtat e fëmijëve: Sfidat dhe perspektivat e reja” është titulli i librit të autoreve Albana Metaj-Stojanova , Arta Selmani, Besa Arifi, Ebru Ibish dhe Vedije Ratkoceri.

Autoret kanë shtjelluar tema që lidhen me të drejtat e fëmijëve si në aspektin civil, ashtu edhe në aspektin penal.

Ky libër vjen në një format më ndryshe nga librat klasik të kësaj fushe, me editorë dhe kapituj-librash.

Foto: Arta Selmani-Bakiu
Foto: Arta Selmani-Bakiu

Në kapitullin e parë, Arta Selmani-Bakiu flet për temën “Prindëria dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve të lindur përmes metodave të fekondimit të asistuar biomjekësor“.

Autorja në detaje analizon rregullimin juridik të çështjeve komplekse në lidhje me aplikimin e teknologjive të reja edhe në procesin e reproduktim të familjes. Autorja paraqet faktet e bazuara se zhvillimi dhe aplikimi i teknologjisë së reproduktimit artificial (inseminimi artificial, fekondimi in vitro, amësia surrogate, reproduktimi post-human, teknika e ngjizjes së “fëmijës nga tre prindër”) janë dëshmi për ridefinimin e konceptit të familjes e të cilat në këtë aspekt rrëzojnë parimin e ngjizjes së fëmijës në mënyrë natyrore.

Kapitulli i dytë me temë ‘’Mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi seksual dhe pedofilia’’ me autor Vedije Ratkoceri, shtjellon të gjitha zgjidhjet bashkëkohore në legjislacionet penale për ofrimin e mbrojtjes sa më të mirë dhe adekuate të fëmijëve – viktima të abuzimit seksual dhe pedofilisë.

Në kapitullin e tretë ‘’Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve viktima të veprave penale dhe fëmijëve dëshmitar në procedurën penale’’, autorja Besa Arifi trajton një ndër çështjet më të rëndësishme penale kur kemi të bëjmë me fëmijët si viktima të veprave penale dhe fëmijët dëshmitarë në procedurë penale. nacional të RMV-së në këtë drejtim, duke analizuar edhe raste konkrete nga praktika gjyqësore.

Kapitulli i katërt i titulluar “Subjektiviteti i fëmijëve në të drejtën civile” nga autorja  Albana Metaj-Stojanova trajton cilësitë kryesore të të miturve si subjekte të së drejtës, përfshirë këtu zotësinë juridike të të miturve, zotësinë për të vepruar, zotësinë deliktore të të miturve si dhe atributet e tyre, emrin personal, vendbanimin e vendqëndrimin, dhe shtetësinë e të miturve.

Ndërsa kapitulli i fundit, ‘’Dokumente ndërkombëtare të rëndësishme për drejtësinë për të miturit’’ i autores Ebru Ibish, trajton në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të detajuar të gjitha dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare që trajtojnë dhe rregullojnë çështje të ndryshme lidhur me drejtësinë për të miturit.

Profesoresha Arta Selmani-Bakiu, shprehet se duke parë pozitën e fëmijëve, veçanërisht në vendin tonë, ku ata ballafaqohen me peripeci të ndryshme qoftë në aspekt të gëzimit të të drejtave të caktuara apo viktimizimin e tyre në forma të ndryshme, konsideruan të rrugës që të trajtojnë disa nga problematikat më kryesore në këtë drejtim, në një libër të veçantë.

“Duke qenë ligjëruese universitare tash e disa vite në Fakultetin Juridik – UEJL kemi parë që literatura e kësaj natyre është deficitare, veçanërisht në temat që janë trajtuar këtu, kurse nga ana tjetër shumë e domosdoshme edhe atë jo vetëm për studentët, por edhe për institucionet shtetërore që në çfarëdo forme kanë të bëjnë me fëmijët përfshirë edhe OJQ-të që merren me të drejtat e fëmijëve”, tha Selmani-Bakiu.

Editorja dhe autorja, Vedije Ratkoceri thotë se ky është një libër unik dhe paraqet një mozaik të pesë temave komplementare shkencore dhe hulumtuese të pesë autoreve të ndryshme.

“Them se është unik për disa arsye, e para për shkak të natyrës specifike të temave të trajtuara nga disa lëmi juridike dhe e dyta për shkak të formatit unik të këtij libri. Jam shumë e lumtur që idesë sime të para një viti që 1 Qershorin e vitit 2022 ta festojmë me këtë kontribut hulumtues fillimisht iu përgjigj pozitivisht bashkëpunëtorja ime e ngushtë prof. Arta Selmani e pastaj edhe profesoreshat e nderuara  të cilat me kënaqësi pranuan të jenë pjesë e këtij libri me punën e tyre hulumtuese, secila në lëminë e vet. Nuk ka qenë aspak e lehtë mirëpo me përkrahjen e pakursyer të disa individëve, ia dolëm”, tha Ratkoceri.

Nga ana tjetër, profesoresha Besa Arifi thekson se libri paraqet literaturë shumë të përshtatshme për nxënësit e shkollave të mesme, për studentët e fakultetit të drejtësisë por edhe të shkencave shoqërore, si dhe për praktikuesit e të drejtës në institucionet e drejtësisë dhe në organizatat joqeveritare që merren me këtë problematikë.

“Qëllimi i promovimit të librit është vetëdijesimi i të rinjve për statutin e tyre si subjekt i rëndësishëm juridik dhe njohja e të drejtave të tyre në marrëdhëniet e ndryshme juridike”, tha Arifi.

Nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët pjesëmarrës në promovim patën mundësinë të takojnë drejtpërdrejtë autoret dhe te marrin falas nga një libër.

Libri u promovua sot në kampusin e Tetovës kurse nesër me fillim në ora 12 do të promovohet edhe në kampusin e Shkupit.

Dita e Fëmijëve është një datë përkujtimore që festohet çdo vit për nder të fëmijëve, data e shënimit të kësaj dite ndryshon në shtete të ndryshme. Në vitin 1925, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve u shpall për herë të parë në Gjenevë gjatë Konferencës Botërore për Mirëqenien e Fëmijëve. Që nga viti 1950, festohet më 1 qershor në shumicën e vendeve komuniste dhe postkomuniste. Dita Botërore e Fëmijëve festohet më 20 nëntor për të përkujtuar Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 20 nëntor 1959. Në disa vende, është Java e Fëmijëve dhe jo Dita e Fëmijëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button