Numër rekord prej 66,8 përqind e familjeve në vend vitin e kaluar kanë raportuar se posedojnë makinë [infografik]

Mbrojtja e mjedisit jetësor përmes luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe ndotjes së ajrit në qytetet në Maqedoni zbatohet, por teorikisht. Në praktikë, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se, numri i amvisërive të Maqedonisë që posedojnë veturë të pasagjerëve vitin e kaluar është rritur si kurrë më parë dhe ka arritur në 66,8 për qind, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Anketa që e kanë realizuar punonjësit e statistikave tregon se numri i familjeve që posedojnë makinë është rritur me 2.6 për qind krahasuar me vitin 2020, si dhe për një përqindje jashtëzakonisht të madhe, prej 15,3, krahasuar me familjet që kanë poseduar makinë një dekadë më parë, në vitin 2011.

Ritmi në rritje i motorizimit të popullsisë në vend është i pranishëm në të gjithë sektorët. Kështu, 78,4 për qind e amvisërive bujqësore në Maqedoni kanë raportuar se në vitin 2021 kanë pasur veturë, ndërsa të njëjtën përgjigje kanë dhënë 63,9 për qind e amvisërive jobujqësore, si dhe 87,8 për qind e amvisërive të përziera.

Për dallim nga rritja e vazhdueshme e numrit të veturave në vend, statistikat tregojnë vite me radhë përqindja e posedimit të biçikletave në mesin e familjeve në vend është ndërmjet 30 dhe 40. Në vitin 2021, 37,4 për qind e familjeve në Maqedoni kanë raportuar se kanë biçikletë, ndërsa në amvisëritë bujqësore kjo përqindje ishte më e larta – 49,7 për qind.

Vlen të përkujtojmë se biçikleta është mjet për transport që nuk emeton fare gazra të dëmshëm në ajër, prandaj edhe nuk ka asnjë rol në ndryshimet klimatike. Në të kundërt, është pikërisht transporti rrugor makinës që i përshkruhet roli kryesor në emetimin e gazeve serrë në atmosferë, por është edhe një nga sektorët kryesorë që merr pjesë në ndotjen e ajrit.

Meta.mk tashmë ka shkruar se komunikacioni rrugor shkakton pothuajse të gjitha emetimet e gazrave serrë gjatë transportit në vend. Sipas të dhënave të fundit të publikuara për vitin 2016, trafiku rrugor përbënte 99.7 për qind të gazeve serrë, tregon Raporti i tretë dyvjeçar për ndryshimet klimatike i përgatitur në vitin 2020. Në sektorin e Energjisë, pikërisht në sektorin e transportit është regjistruar rritje drastike e emetimeve të gazeve serrë, kështu në vitin 2016 ka qenë gati tre herë më shumë krahasuar me vitin 1990.

Duke marrë parasysh faktin se, në periudhën 2016-2021, numri i makinave rritej me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, është e pritshme që transporti sot të ketë pjesëmarrje edhe më të madhe në emetimet e gazeve serrë në atmosferë, e të cilat i shkaktojnë ndryshime klimatike. Sipas të dhënave të Drejtorisë doganore, vetëm në vitin 2021 në vend janë importuar mbi 37 mijë automjete të përdorura. Në pesë vitet e fundit në Maqedoni kanë hyrë mbi 160.000 automjete të përdorura nga vendet e huaja.

Si një nga masat e premtuara prej kohësh për parandalimin e ndikimit të dëmshëm të makinave në mjedis, qeveria për të dytin vit radhazi po e premton ndalimin e importit të automjeteve në vend me standarde të emetimit EURO 5, por deri më tani nuk ka vendim të qeverisë për këtë çështje dhe as nuk ka ndonjë datë se kur do të fillonte të realizohej.

Meta.mk raporton rregullisht për gjendjen me infrastrukturën e biçikletave nëpër qytete, gjë që tregon se edhe pse autoritetet komunale flasin për zhvillimin e transportit të biçikletave, në terren ka pak punë për të stimuluar përdorimin e biçikletave nga qytetarët. Në gjiron tonë në rrjetin e biçikletave të Shkupit muajin e kaluar, u vërtetuam se shtigjet e biçikletave nuk pastrohen rregullisht, se nuk ka sinjalistikë adekuate horizontale, veturat të parkohen jashtë rregullave kudo që të arrijnë, ndërsa Qyteti i Shkupit nuk deshi të përgjigjet në pyetjet tona se çfarë planifikon të ndërmarrë për mirëmbajtjen e rregullt të infrastrukturës së biçikletave në kryeqytet.

Vitin e kaluar e bëmë edhe një reportazh për mungesën e infrastrukturës për biçikleta në lagje të tëra anembanë Shkupit, ku qytetarët janë të penguar për të përdorur biçikleta për shkak se nuk kanë shtigje biçikletash. Bëhet fjalë për vendbanimet Dame Gruev, Volkovë, Saraj, Draçevë, Radishan, Zhelezarë, Shuto Orizarë e të tjera, ku qytetarët janë përballë një zgjedhjeje famëkeqe – të ngasin biçikletën në rrugë ose të përdorin një mjet tjetër transporti gjatë udhëtimit të përditshëm. .

Për shkak të mungesës së masave që duhet të merren nga shteti dhe autoritetet vendore në fushën e transportit, përqindja rekord e familjeve që zotërojnë një makinë, në krahasim me ato që kanë një biçikletë në shtëpi, nuk duhet të jetë befasuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button