fbpx

Dështoi edhe rundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë

Në Kuvendin e Shqipërisë sot dështoi edhe rundi i tretë për votimin për presidentin e vendit, për shkak të mungesës së një kandidature. Kjo i hap rrugën partisë në pushtet, Partisë Socialiste (PS), ta zgjedhë e vetme të parin e shtetit, transmeton REL.

Me djegien e këtij raundi, Partia Demokratike në opozitë, nuk është më relevante në përzgjedhjen e presidentit. Sipas Kushtetutës, vetëm në tre nga pesë runde kërkohet mbështetja e 84 deputetëve, mirëpo në rundin e katërt të votimit, president mund të zgjidhet kandidati që siguron një shumicë të thjeshtë të votave, përkatësisht 71 vota. Partia Socialiste i ka 74 deputetë dhe nuk ka dorëzuar asnjë kandidaturë deri tani.

Pas bisedimeve ndërmjet PS-së dhe opozitës me qëllim që të gjendet një figurë unifikuese për postin e presidentit, shumica parlamentare i qëndroi vendimit për të mos dhënë asnjë kandidaturë nën argumentin se deri në rundin e tretë kjo është e drejtë e opozitës. Opozita, e përbërë kryesisht nga Partia Demokratike nuk ndryshoi qasje, dhe e cilësoi këtë si ftesë si të pasinqertë nga ana e partisë në pushtet.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, akuzoi PS-në se nuk e do një president mbi palët.

“Ne si opozitë bëmë detyrën tonë për t’i dhënë vendit një president konsensual. Për të qenë një president mbi palët duhet që të gjitha palët të marrin pjesë në proces”, u shpreh ai.

Ai ka kërkuar që zgjedhja e presidentit të bëhet bashkërisht, duke bërë thirrje për një figurë unifikuese që nuk vjen nga radhët e PS-së apo PD-së.

“Humbëm një rast për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një institucion i cili do të duhet të kishte legjitimitetin e palëve”, tha Alibeaj.

Mirëpo, kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla, fajësoi demokratët që nuk paraqitën asnjë emër në të paktën dy rundet e fundit.

“Në kemi pasur gatishmërinë për t’u ulur në emra konkretë me opozitën. Nëse opozita ka dëshiruar që prej fillimit një president për ta zgjedhur vetë, unë mendoj që nuk i bën nder askujt. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë komunikim dialog më të gjithë deputetët e grupeve parlamentare të opozitës”, tha ai.

Vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Partia Socialiste nuk mund të ofrojë dhe të djegë kandidaturën e saj për president në tri rundet e para të votimit.
Mbajtja e seancës së radhës për zgjedhjen e presidentit vendoset të martën, më 31 maj, ku Parita Socialiste pritet të mbledhë kryesinë e saj për të vendosur mbi kandidatin e mundshëm për president. Kufiri maksimal i kohës është e hëna e 6 qershorit.

Kuvendi i Shqipërisë ka afat ligjor për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit deri në 60 ditë para se ai ta marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik të këtij viti – ditën kur largohet nga zyra presidenti aktual, Ilir Meta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button