Ambasada franceze në vend shpalli thirrje për vullnetarë për Lojërat Olimpike të Parisit 2024

Ambasada franceze në Shkup ka shpallur thirrjen për përzgjedhjen e kandidatëve për vullnetarë për Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike që do të mbahen në Paris në vitin 2024. Thirrja është e hapur për personat e moshës nga 18 vjeç e lart, të cilët merren me sport ose me vullnetarizëm dhe që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Të gjithë të interesuarit duhet të paraqesin një aplikim duke përdorur formularin e bashkëngjitur në frëngjisht dhe anglisht jo më vonë se data 20 qershor 2022 në adresën elektronike: [email protected]. Për të hyrë në procedurën e përzgjedhjes së vullnetarëve kërkohet njohja e gjuhës angleze ose frënge.

Instituti Francez thotë se vullnetarët do të duhet të jenë të pranishëm në të gjitha ambientet olimpike dhe paraolimpike ku do të zhvillohen garat.

Misionet vullnetare janë të shumëllojshme: ndjekja e vendeve të stërvitjes dhe garave si dhe në fshatrat olimpike të atletëve, gjatë transportit dhe në tribuna, shoqërimi i delegacioneve sportive në terrenin e stërvitjes, pjesëmarrja në përgatitjen e infrastrukturës sportive, mirëpritja e gazetarëve ose shoqërimi i spektatorëve në zonat e uljes. Vullnetarët nuk kanë të ardhura dhe duhet të respektojnë statutin e vullnetarëve.

Procedura për përzgjedhjen e vullnetarëve nga vendi për Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike në Paris 2024 përbëhet nga disa faza.

Në periudhën Qershor/Korrik 2022, Ambasada Franceze shqyrton aplikimet e paraqitura. Në gusht të vitit 2022, një komision lokal përzgjedh kandidatët, ndërsa një muaj më vonë kandidaturat e përzgjedhura nga RMV-ja u dërgohen anëtarëve të komisionit përzgjedhës të Parisit.

Në periudhën shtator 2022 deri në janar 2023, do të ketë mbështetje për kandidatët e parapërzgjedhur për kandidaturën e tyre zyrtare si vullnetarë në Lojërat e Parisit 2024 (ofrohet ndihmë për procedurat administrative dhe të tjera).

Përzgjedhja zyrtare e vullnetarëve për Lojërat e Parisit do të bëhet në shtator 2023.

Ambasada dhe Instituti Francez në Shkup do t’i ndihmojnë vullnetarët e përzgjedhur të përgatiten për misionin e tyre, duke përmendur si shembuj orët e gjuhës frënge dhe mbështetjen në gjetjen e sponsorëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button