fbpx

Ka filluar digjitalizimi i inspektorateve në RMV: Pritet të rritet efikasiteti dhe të ulet korrupsioni

Shërbimet inspektuese në Maqedoninë e Veriut do të digjitalizohen që inspektimet të jenë më efikase dhe të shpejta, por edhe që të zvogëlohet mundësia e korrupsionit. Ky është mes tjerash qëllimi i Platformës “E-inspektor” për modernizimin e shërbimeve inspektuese, i cili po përgatitet me ndihmën e Bankës Evropiane për Rinovim dhe Zhvillim (BERZH), projekt i cili ka filluar në shkurt të këtij viti dhe do të zgjatë 18 muaj apo deri në gusht të vitit 2023 nën kujdesin e Këshillit Inspektues. Deri në vitin 2024 parashikohet që “E-inspektor” të lidhet me të gjitha 28 shërbimet inspektuese, shkruan Portalb.mk.

“Platforma “E-inspektor” filloi si pilot-projekt në të cilin ishin të kyçura tre inspektorate (Inspektorati  Shtetëror i Tregut, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Inspektorati Administrativ Shtetëror) në kuadër të projektit për modernizim të shërbimeve inspektuese, financuar nga USAID, ndërkaq e ka zbatuar Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës në bashkëpunim me Këshillin Inspektues”, thonë për Portalb.mk nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Ata informojnë se tani vijon përpunimi i specifikimeve teknike për zbatimin e furnizimeve publike për zgjedhjen e ndërmarrjes e cila d t’i zhvillojë 13 module për kyçjen e shërbimeve inspektuese në “E-inspektor”. Furnizimin publik për zgjedhjen e ndërmarrjes do ta kryejë BERZH.

Në këtë projekt janë të përfshira 13 shërbime inspektuese:

  • Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë,
  • Inspektorati Shtetëror i Arsimit,
  • Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor,
  • Inspektorati Shtetëror për Pylltari dhe Gjueti,
  • Inspektorati Shtetëror për Transport,
  • Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor,
  • Inspektorati Shtetëror për Inspektim Teknik,
  • Inspektorati Shtetëror për për Ndërtimtari dhe Urbanizëm,
  • Inspektorati Shtetëror Komunal,
  • Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale
  • Inspektorati Shtetëror Valutor
  • Inspektorati për Përdorimin e gjuhëve
  • Agjencia për Ushqim dhe Veterinari

Çfarë është “E-inspektor” dhe si do të funksionojë?

“E-inspektor” është sistem elektronik për digjitalizim dhe automatizim të procedurës inspektuese dhe mbikëqyrjes. Gjithashtu është një mekanizëm kontrolli, i cili ka për qëllim zvogëlimin e ndikimit objektiv të inspektorëve gjatë kryerjes së kontrolleve të tyre dhe të parandalojë korrupsionin.

Ky sistem është për të gjithë inspektorët dhe personat administrativ të cilët janë të përfshirë në mbikëqyrjen inspektuese, por edhe për të gjitha subjektet e mbikëqyrjes.

“Me “E-inspektor” eliminohet faktori njeri dhe qasja subjektive gjatë zbatimit të mbikëqyrjes inspektuese. Do të sjellë ulje të korrupsionit dhe përmirësim të klimës së biznesit. Do ta përforcojë bashkëpunimin mes subjekteve dhe mbikëqyrësit dhe shërbimeve inspektuese. Do të rritet besueshmëria në sistemin dhe institucionet. Do të ketë evidencë të saktë dhe precize për të gjitha mbikëqyrjet e zbatuara, që do të shërbejë si korrigjues në reformat e mëtutjeshme”, thonë nga Qeveria, duke shtuar se dobitë na “E-inspektor” janë edhe për shërbimet inspektuese, por edhe për subjektet që do të mbikëqyren.

Sistemi “E-inspektor” funksionon nëpërmjet këmbimit elektronik të të gjitha të dhënave të nevojshme mes shërbimeve inspektuese dhe organeve dhe institucioneve, shfrytëzues të sistemit.

Ai do të jetë i lidhur me të gjitha shërbimet inspektuese të nivelit qendror, me mundësi të kyçjes edhe të inspektorëve komunal. Do të mundësojë planifikim automatik të mbikëqyrjeve inspektuese në bazë të vlerësimit të rrezikut dhe ndjekjes së veprimit paraprak të subjekteve të mbikëqyrjes.

Sistemi, gjithashtu do të mundësojë shpërndarje automatike të lëndëve tek inspektorët dhe rajonet/zonat.

“Me këtë softuer dhe kyçjen e tij në platformën për interoperabilitet, inspektorët do të munden lehtë dhe shpejtë t’i marrin të gjitha të dhënat nga institucionet përkatëse të domosdoshme që të munden në mënyrë kualitative dhe në kohë ta zbatojnë dhe kryejnë procedurën inspektuese, me çka do të zvogëlohet edhe trysnia ndaj pronarëve në lidhje me sigurimin e dokumenteve të nevojshme”, thonë nga Qeveria.

Sistemi do të mundësojë plotësim të të dhënave me informata për subjektet e mbikëqyrjes të marra nga inspektimet paraprake, në kuptimin nëse dhe cilat obligime ligjore i kanë plotësuar ose jo, nëse kanë vepruar ndaj rekomandimeve të inspektorit, nëse e kanë përsëritur gabimin, nga çka do të varet klasifikimi i tyre në sistem, gjegjësisht gradimin e subjektit në nivel rreziku të lartë, mesëm dhe të ulët.

Foto ilustrim

“Këtu del përfitimi për subjektet e mbikëqyrjes, pasi që në varësi prej shkallës së rrezikut të subjektit do të varet edhe periudha kohore kur do t’i bëhet mbikëqyrje inspektuese, gjegjësisht një vjet, një herë në dy vjet, apo një herë në tre vjet”, thonë nga Qeveria.

Sistemi do të mundësojë që te një subjekt, njëkohësisht të kryhen më shumë inspektime, nga shërbime të ndryshme inspektuese. “Kjo do t’i shkurtojë kontrollet dhe mbikëqyrjet e shpeshta, gjegjësisht mbikëqyrja inspekturese do të jetë efikase dhe efektive”.

Këshilli Inspektuese, nëpërmjet bashkëpunimit ndërinstitucional me Entin Shtetëror të Statistikave, ka siguruar pajisje përkatëse harduer pajisje/laptopë dhe printerë celular me skaner për çdo inspektor.

Ndryshe, digjitalizimi i shërbimeve në Maqedoninë e Veriut po “zvarritet” me hapa të ngadaltë dhe shpesh pengohet nga çështjet burokratike të ligjeve dhe procedurave, derisa zhvillimi teknologjik dhe vendet e zhvilluara po “vrapojnë” me shpejtësi. Sipas hulumtimit të Portalb.mk, doli në pah që Maqedonia e Veriut është 10 vite mbrapa Bashkimit Evropian në fushën e digjitalizimit.

Storjet e Portalbit për shërbimet elektronike mund t’i lexoni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button