Beograd, të djathtët protestojnë kundër festivalit “Mirëdita”

Aktivistët e Partisë Demokratike të Serbisë (DSS) me orientim të djathtë, sot organizuan protestë në Beograd, ku në të njëjtën ditë hapet festivali “Mirëdita, dobar dan”, i cili promovon kulturën shqiptare dhe atë serbe, transmeton REL.

Para ambienteve të Engio Hub, ku në orën 18:00 hapej ekspozita “Të gjithë lotët tanë”, në kuadër të festivalit, aktivistët kanë varur fotografi mbi të cilat është shkruar “Kultura e Kosovës”, bashkë me fotot e shqiptarëve të akuzuar për krime të pretenduara.

DSS-ja dhe disa parti më të vogla në koalicion me këtë parti, më 24 maj, kërkuan që festivali të ndalohej.

Lideri i DSS-së, Milosh Jovanoviq, vlerësoi se me këtë festival promovohet pavarësia e Kosovës, e cila, siç tha ai, cënon rendin kushtetues të Serbisë.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan“, i cili do të zgjasë deri më 28 maj, është që me takimet e komuniteteve sociale dhe kulturore serbe dhe kosovare, të iniciojë ndryshimet dhe të krijojë një traditë bashkëpunimi që do të kontribuojë në normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Foto nga FB: Mirëdita, dobar dan
Foto nga FB: Mirëdita, dobar dan

Megjithatë, vitet e kaluara, ky festival në Beograd është shoqëruar me incidente, të cilat i shkaktuan grupet e djathta.

“Ekziston një hendek i madh ndërmjet shoqërisë serbe dhe asaj kosovare. Festivali ‘Mirëdita, dobar dan’ po mundohet ta zvogëlojë atë hendek, derisa ai të zhduket. Ndërsa elitat politike po punojnë për ta thelluar atë”, tha Fiona Jeliqi, koordinatore e programit të Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

Foto nga FB: Mirëdita, dobar dan
Foto nga FB: Mirëdita, dobar dan

Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008. Zyrtarët në Serbi vazhdojnë ta mohojnë Kosovën si shtet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button