fbpx

Ujkan Jani na tregon si të arrijmë peshë ideale trupore dhe një trup të shëndetshëm (VIDEO)

Gati se gjysma e popullatës në botë dëshiron të ketë një trup të shëndetshëm, shkruan Ipsos, pas një studimi që bëri në 30 vende të botës. Ndikimi i rrjeteve sociale ka nxitur njerëzit të duan të ndjekin një stil jete të shëndetshëm. Këtë po mundohet ta arrijë Ujkan Jani në qytetin e tij të Dibrës, duke shpërndarë shembuj pozitiv nga njerëzit të cilët ndjekin regjimin e tij të të ushqyerit dhe ushtrimeve, shkruan Portalb.mk.

Ujkani është i diplomuar në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe momentalisht është i punësuar si  arsimtar i sportit në shkollën fillore “Penestia” në Dibër. Pas karrierës shumëvjeçare si fudbollist, ka vazhduar si trajner futbolli për të rinjtë për tre vite radhazi dhe një vit ndihmës trajner i ekipit të Korabit. Kohëve të fundit ka organizuar disa projekte dhe kurse sportive dhe e fundit që po e punon është “LetsFit Project“, projekt që ka për qëllim rënien në peshë duke ushtruar në mënyrë intensive dhe me plan ushqimor të balancuar.

“Është një thënie, “trupi, është tempulli yt, nëse kujdesesh për të, do të ta kthejë në të njëjtën mënyrë”. Pra, duhet të mendojmë më shpesh për mënyrën se si ushqehemi dhe sa aktiv jemi gjatë ditës. Nëse marrim iniciativë për t’u kujdesur më shumë, me pak vullnet mund ta bëjmë mënyrë të jetesës mbajtjen e trupit të shëndoshë dhe në formë të shkëlqyer. Sezoni veror është një ndër arsyet që të rinjtë angazhohen më së tepërmi nëpër palestrat sportive. Për të arritur peshën e trupit që dëshirojnë, me ushtrimet me intensitet të lartë (hiit) mund ta arrijnë më shpejtë peshën ideale.” tha Ujkan Jani.

Sipas Ujkanit, ushqimi i shëndetshëm duhet patjetër të përcillet me ushtrime, sepse trupit i nevojiten të gjitha burimet ushqyese të nevojshme për t’u rikuperuar muskujt dhe për të marrë energji të mjaftueshme për të kryer çdo lloj aktiviteti fizik. Për të marrë më seriozisht aktivitetin fizik, ai tha që ne si popull në përgjithësi presim deri në çastin kur puna është më urgjente dhe kjo çon drejt një jetese jo të shëndetshme. Nëse e shikon si obligim aktivitetin fizik, pas një kohe bëhet edhe varshmëri dhe patjetër gjen kohë dhe motivim për të vazhduar më tej. Ujkani së fundmi është duke praktikuar ushtrime me intensitet të lartë dhe për benefitet e të ashtuquajturës hiit ushtrime, ai tha:

“E mira e ushtrimeve me intensitet të lartë (hiit), është se mund të ekzekutohen në çdo vend dhe çdo kohë dhe pa përdorimin e mjeteve sportive. Janë ushtrime intensive që bëhen në kohë shumë të shkurtër, me plan javor prej 4 deri në 5 ditë në javë, që mund të zgjasin nga 10 deri në 30 minuta. Në aspektin fiziologjik, ndihmon shumë në përmirësimin e sistemit kardiovaskular, humbje në peshë, pasi djeg një sasi të madhe të kalorive, shpejton metabolizmin, forcon muskujt, rrit hormonet dhe ul stresin.” u shpreh Jani.

Pandemia ka ndikuar shumë në stilin e jetesës së njerëzve. Te shumica e njerëzve është dalluar shtimi i peshës. Këtë e ka vërejtur edhe Ujkani te njerëzit përreth. Por, ai është duke bërë një punë të shkëlqyer me të gjithë njerëzit të cilët ndjekin regjimin e tij. Kjo mund të vërehet edhe nëpër publikimet që ai bën në rrjetet sociale me rezultatet e njerëzve të cilët kanë pasur pas disa muajve ushtrime. Me këtë ai mundohet të shpërndajë motivim dhe të edukojë njerëzit përreth që ushtrimet dhe ushqimi i shëndetshëm duhet të jenë një përditshmëri për të gjithë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button