Kovaçevski – Dragi: Zgjerimi i BE-së është çelësi i prosperitetit të rajonit dhe Evropës

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij në Romë, sot u takua me homologun e tij italian, Mario Draghi, transmeton Portalb.mk.

Në takimin me kryeministrin italian, ku morën pjesë ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, u theksua se Maqedonia e Veriut dhe Italia kultivojnë lidhje jashtëzakonisht të ngushta politike dhe ekonomike të bazuara në dialog intensiv dhe takime të shpeshta në nivelin më të lartë institucional.

Në takimin me homologun e tij italian Mario Draghi, kryeministri Kovaçevski theksoi rolin e Italisë si promotore e zëshme e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, gjë e cila u konfirmua me Rezolutën e Parlamentit italian të vitit të kaluar, e cila theksoi perspektivën evropiane të rajonit dhe me të cilën dërgoi thirrje për mbajtjen urgjente të konferencës së parë ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Kryeministrat Kovaçevski dhe Dragi u pajtuan se zgjerimi i BE-së duhet parë nga perspektiva gjeopolitike, si çështje e sigurisë thelbësore për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit tonë dhe Evropës.

U theksua se BE-ja duhet të njohë momentin dhe të marrë parasysh faktin se Maqedonia e Veriut dënoi luftën në Ukrainë dhe u rreshtua plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, si partnerë të vërtetë dhe të besueshëm, që ndajnë të njëjtat vlera të një bote të lire dhe demokratike.

Të dy kryeministrat theksuan se shohin potencial për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Italia, u tha në takim, është ndër 10 vendet më të mira me të cilat Maqedonia e Veriut ka vëllimin më të madh të tregtisë dypalëshe dhe se i një rëndësie të veçantë për promovimin e marrëdhënieve ekonomike është korridori 8, i cili përmes porteve të Shqipërisë do të sigurojë qasje të drejtpërdrejtë në tregun italian.

Kryeministri Kovaçevski ftoi homologun e tij italian, kryeministrin Mario Draghi, të vizitojë Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button