fbpx

Biden: Putin synon të eliminojë Ukrainën

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka akuzuar homologun e tij rus, Vladimir Putin se po tenton të “eliminojë” Ukrainën dhe ka thënë se lideri rus duhet të paguajë “çmim afatgjatë” për pushtimin e këtij shteti, transmeton REL.

Duke folur nga Tokio më 23 maj, Biden ka thënë në një konferencë për media se bombardimet ruse në infrastrukturën civile, sikurse shkollat, teatrot, spitalet dhe muzetë, tregojnë synimin e qartë të Putinit për pushtimin e nisur më 24 shkurt.

“Besoj se ajo që dëshiron Putin është të eliminojë identitetin e Ukrainës”, ka thënë Biden.

“Ai nuk mund ta pushtojë atë, mirëpo mund të tentojë t’ia shkatërrojë identitetin”.

Ukraina ka akuzuar Rusinë se është duke kryer mizori në pushtimin e paprovokuar dhe ka thënë se ka identifikuar më shumë se 10,000 krime të mundshme të luftës.

Rusia e mohon shënjestrimin e civilëve dhe pretendon se të dhënat për mizori që prezanton Ukraina, janë të rreme.

Para nisjes së luftës, të cilën Putin e konsideron “operacion special ushtarak”, lideri rus ka thënë se Ukraina nuk ka qenë kurrë njëmend shtet, dhe ka thënë se Ukraina është pjesë e “historisë, kulturës dhe hapësirë shpirtërore” të Rusisë.

Biden ka thënë se Putin duhet “të paguajë çmim të lartë për barbarizmin e tij në Ukrainë” për t’u siguruar që shtetet tjera nuk marrin hapa të ngjashëm.

Deklarata e tij besohet se ka qenë referencë e drejtpërdrejtë për tensionet në mes të Kinës dhe Tajvanit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button