KE njofton rikthimin e reklamave qeveritare në media në RMV, ndryshimet duhet të jenë në përputhje me standardet e BE-së

Pas njoftimeve të komunitetit gazetaresk në Maqedoninë e Veriut se po diskutohet për rikthimin e reklamave qeveritare në media, Komisioni Evropian rikujton se në BE janë duke u përgatitur ndryshime, njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Brukseli.

Edhe pse asgjë nuk është zyrtare, komuniteti gazetaresk në Maqedoninë e Veriut ka paralajmëruar prej kohësh se neni i diskutueshëm 102 i Ligjit për shërbimet mediatike audiovizive është kthyer në lojë.

Neni 102 u shfuqizua pas Marrëveshjes së Përzhinos në vitin 2015, dhe qeveria e LSDM-së mbrojti ndalimin e reklamave shtetërore pas 11 viteve të sundimit të Nikolla Gruevskit dhe keqpërdorimin e kësaj praktike nga qeveria e tij si ryshfet për mediat. Një praktikë që është kritikuar rregullisht në raportet e Komisionit Evropian.

Siç raportoi BIRN pak ditë më parë, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) tha se “po bisedohet” për ndryshime në këtë praktikë, por pa detaje të tjera, ndërsa zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bityqi tha se “qeveria do të diskutonte për ndihmë“ me përafërsisht tetë milionë denarë në vit. Për më shumë ndihmë buxhetore, shkruan BIRN, qeveria do të kërkojë “konsensus social”, pra miratim si nga opozita ashtu edhe nga profesioni i gazetarit. Kjo ndihmë më e madhe, thotë BIRN, mund të arrijë në 0.1 për qind të buxhetit të shtetit.

Nga Komisioni Evropian thanë se nuk hyjnë në detaje derisa të zyrtarizohet vendimi, por janë duke e monitoruar situatën.

“Ne po monitorojmë situatën”. Çdo ndryshim në legjislacionin e medias duhet të jetë në përputhje me ligjet dhe standardet e BE-së. Ata po kërkojnë një konsensus të gjerë politik dhe konsultim me palët kryesore të interesuara”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero.

Ajo theksoi se raporti i Komisionit në vitin 2021 tashmë ka vënë në dukje vërejtjet dhe shqetësimet e shoqatave të mediave në Maqedoninë e Veriut për ndryshime të mundshme në nenin 102 të Ligjit për shërbimet mediatike audiovizive për të lejuar rideklarimin e reklamave “me interes publik”.

Komisioni Evropian, veçanërisht nën ndikimin e Komisioneres së BE-së për transparencë Vera Jurova, vitet e fundit ka propozuar intensivisht ndryshime ligjore dhe një qasje të re politike ndaj çështjeve të medias, fushë në të cilën Bashkimi Evropian ka shumë pak kompetencë në përgjithësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button